Një projekt interesant zhvillohet në Gjermani prej disa vjetësh, i cili largon të gjitha lotrat nga ambientet e kopshteve për fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç. Në Gjermani këto kopshte quhen kita.
Elisabeth Seifert drejtoresha e organizatës Aktion Jugendschutz që e mbështet këtë project tregon se qëllimi është që t’i aftësojë fëmijët për të përballuar sfidat e jetës dhe të shmangin varësitë nga drogat apo alkooli në të ardhmen. Fëmijëve dhe prindërve u bëhet vetëm një njoftim fillestar mbi largimin e lodrave, e mandej edukatoret nuk i orientojnë fëmijët se ç’duhet të bëjnë pa lodra. Ajo që ndodh është e parashikueshme, fëmijët nisin të luajnë me njëri tjetrin, lojra që nuk kanë nevojë për lodra apo sende.
Idea e kopshteve pa lodra u zhvillua në Gjermani në vitet ’80 nga një studim i varësisë që u krye në Bavari, i cili zbuloi se shumë nga sjelljet që çojnë në vese formohen në fëmijëri. Fëmijët që nuk përballojnë dot njëri tjetrin, gjejnë ngushëllim dhe izolim tek lodrat, gjë që në të ardhmen, mund të zëvendësohet me ngushëllimin tek substancat dhe veset e tjera. Koncepti është që fëmijët të forcojnë aftësitë për të përballuar telashet e jetës, pa patur nevojë pët një “patericë” psikologjike.