Historia e fotos ku nusja shqiptare qan me lot!

Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qënë aspak të zakonshme po t’i krahasosh me ato të ditëve të sotme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit dhe për t’i fokusuar në aparatin fotografik. Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun.

Foto të tilla ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shiheshin në ekspozitën “Fundi. Fillimi.Shqipëria 1981-1991”. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove, e cila ka ngjallur shumë kureshtjen e atyre që e kanë parë është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë.

Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë atë, në ditën në të cilën duhej të ishte më e bukura për të. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë dhe nusja teksa përcillej në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë e të njohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.

Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një.

Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë.

Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi. Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri.

Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve.