Këshilli Bashkiak i Dibrës ka shpallur ‘Qytetar Nderi’ kryeministrin Edi Rama me motivacion për kontributin e dhënë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Propozimi është bërë anëtari i pavarur i këshillit bashkiak Astrit Ademi, biznesmen në Dibër, ndërsa është mbështetur nga anëtarët socialistë që kanë shumicën në bashkinë e drejtuar nga Muharrem Rama i zgjedhur nga PS-ja.
Por kreu i qeverisë e ka refuzuar titullin. Ai falenderon Këshillin Bashkiak për vlerësimin, por thotë se ka qenë gjithmonë kundër titujve.
“Kryeministri Rama ka qene, mbetet dhe do te jete gjithmone kunder titujve honorifike per politikanet ne detyre. Duke falenderuar te gjithe ata qe mund te jene nisur per mire, Kryeministri Rama e refuzon titullin e qytetarit te nderit, dhene sot nga Bashkia Diber” thotë zyra e shtypit të Kryeministrit.
Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit nisën në qershor të vitit kaluar, e cila do ta shkurtojë lidhjen e Klosit me Tiranën në më pak se 30 minuta dhe të Bulqizës në më pak se 40 minuta. Kryeministri gjatë inaugurimit të nisjes së punimeve vitin e kaluar tha se rruga do të mbarojë brenda këtij mandati qeverisës.