Kur bëri celebrimin zyrtar me Mark Frrokun më 1 janar, Rudina Dembacaj foli edhe për një ceremoni martese, e cila tashmë është në prag të realizimit.
Dasma do bëhet dhe qenka fare afër. Rudina vetë nuk ka folur ende, por një foto e postuar në “Instagram” i zbuloi të gjitha.Emrat e konsulentes së saj të imazhit dhe agjencisë së fustaneve të nusërisë dhe ceremonialeve të bërë tag në foto, tregojnë se në restorantin e Rudinës po përgatitet ceremonia e dasmës, që përkon fiks me hyrjen e vjeshtës dhe sezonin e ri të dasmave.
Pritet që vetë moderatorja të tregojë detaje më shumë rreth ceremonisë, pasi herë pas here ndan sekrete nga jeta e saj me ndjekësit, ndërkohë që një fakt që mbetet ende i pandryshueshëm është që në ceremoni do të jetë i ftuar dhe ish-bashkëshorti i saj, Aleksandër Varfaj.
Pak kohë më parë, Rudina zbuloi se do të bëjë sërish dasmë, teksa e konsideroi martesën si vesin e saj më të keq.
“Martesa është vesi im më i keq, po planifikoj dasmë prapë”, u shpreh moderatorja, gjatë një pyetësori me ndjekësit në “Instagram”. Ajo u shpreh se gjithashtu po mendon seriozisht të zgjerojë familjen me bashkëshortin e saj, Mark Frrokun, pasi kjo është një dëshirë jo vetëm e ish-deputetit, por edhe e vajzës së saj Vikit nga martesa me Varfajn.
“Nëse Viki do bëhet me një motër, cili do ishte emri i saj. Po për një vëlla?, e pyeti një prej ndjekësve.
“Nuk e di fare! Thjesht mendoj se duhet të mendoj seriozisht për një bebe, jo vetëm Marku, tashmë ma kërkon edhe Viki”, u përgjigj Rudina Dembacaj.
Këtë fillimviti, Rudina e nisi me celebrimin dhe po e mbyll me dasmën. Në 1 janar, aktorja e humorit i surprizoi të gjithë me publikimin e disa fotove të realizuara në Bashkinë e Tiranës, ku bënë celebrimin në prani të vetëm disa personave.
“Marku dhe unë me besimin se dashuria është bekim, vendosëm edhe ta zyrtarizonim lidhjen tonë. Gëzuar me një vit të mbarë, plot lumturi nga familja jonë! Rud&Mark (Shihemi në dasmë)”, shkruante Rudina poshtë fotove.
Në fillim të 2020, Dembacaj konfirmoi lidhjen me Frrokun, duke postuar për herë të parë në rrjete sociale një foto përkrah tij.
Në rrëfimin e parë për lidhjen me Markun, aktorja tregoi se kjo marrëdhënie nisi pas ndarjes së saj nga ish-bashkëshorti, Aleksi. Me ish-in ajo ka treguar se ruan raporte të mira, dhe kjo është arsyeja pse ai do të jetë ndër të ftuarit kryesorë të dasmës.
Dembacaj mori në shtator të vitit të kaluar propozimin më të bukur për martesë nga Mark Frroku, duke i thënë “Po” përgjithmonë.
Propozimi erdhi si një surprizë e vërtetë për Rudinën, pasi Marku kishte përgatitur vetë gjithçka në detaje. Aktorja ka zbuluar se ai i kishte propozuar në një nga vendet më të bukura të Turqisë, Cappadocia, dhe momentin më të bukur të jetës e fiksuan përmes disa fotografive.
Gjatë kësaj kohe, Dembacaj është kthyer në një personazh gjithmonë në qendër të mediave rozë, pikërisht për shkak edhe të jetës së saj private, sidomos që pas deklarimit të lidhjes me Frrokun, ndërkohë që nuk heziton të shkëmbejë zemra me ish-burrin.
Që në momentin kur ajo pranoi lidhjen e re, çdo hap i Rudinës kthehet në lajm. Aktualisht, Rudina dhe Marku bashkëjetojnë në shtëpinë e tij, bashkë me prindërit e tij dhe katër fëmijët e tyre, tre fëmijët nga martesa e Markut dhe fëmija i Rudinës nga martesa me Aleksandër Varfajn.
Bën përshtypje fakti që Rudina ka kohë t’i përgjigjet çdo komentuesi, madje edhe njërit që i tha “me fat do jetë burri tjetër pas Markut”, duke i rikujtuar lidhjet e saj të mëparshme e që s’mund të ndalet me kaq, pra s’mund të jetë ish-deputeti i fundit.
Nuk dihet se çfarë qëndrimi mbajti Frroku, kur ajo iu përgjigj: “Po ti qenke alamet ylli”. Ata tashmë e konsiderojnë njëri-tjetrin dhe ortakë në punë, pasi menaxhojnë të dy një restorant në Tiranë.
Që nga fillimi i deklarimit të lidhjes, Rudina nuk ka reshtur së rrëfyeri detaje nga lidhja e saj, duke ndarë shpesh momente me Markun, aq sa shumë ndjekës e quajnë të tepërt dhe se ua ka sjellë në majë të hundës me këto postime, a thua sikur vetëm ajo ka një partner.
Vitin e kaluar Rudina foli në ekran për familjen e saj të re, madje nuk hezitoi të jepte detaje shumë personale dhe intime. Ndërsa ishte mbyllur në shtëpi për shkak të koronavirusit, moderatorja bëri një pyetësor me ndjekësit e saj në “Instagram”.
Një ndër pyetjet më ngacmuese për Dembacajn ishte se si është partneri i saj i ri, Mark Frroku, në krevat.
“Zjarr!”, u përgjigj ajo pa komplekse. Rudina gjithashtu u pyet për marrëdhënien e Frrokut me ish-bashkëshortin e saj Aleks, duke thënë se shkojnë mirë me njëri-tjetrin për shkak se është vajza, Viktoria, në mes.
Por nuk mbetën pas edhe pyetjet kureshtare të fansave nëse do kishte një dasmë të ardhshme. “Të kryejmë një herë këtë hall. Po një valle do ta marr kur të bëhem mbarë”, shkroi Rudina, duke lënë të kuptohej se dasmën e kishin planifikuar pas karantinës.
Pas deklarimit të lidhjes, aktorja e humorit vendosi të jepte intervistën e saj të parë te “Rudina”, ku zbuloi planin e dasmës dhe të sjelljes në jetë të fëmijëve të tjerë, por si u njohën?
“Unë dhe Marku bëmë një udhëtim jashtë shtetit dhe e kapa veten duke ulur kokën në aeroport. Pse duhet ta fshihja dashurinë? Ndihemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Ne njihemi prej shumë kohësh, por s’e kishim menduar ndonjëherë se do kishim diçka. Marku ka kaluar një periudhë shumë të vështirë në jetën e tij, ka humbur bashkëshorten para një viti e gjysmë, ishte periudhë delikate për të. Unë isha single dhe ndodhi që u dashuruam”, u shpreh Rudina Dembacaj.
Ajo pohoi se marrëdhënia është zyrtarizuar dhe është bërë familjare, ndërsa më tej zbuloi marrëdhënien me 3 fëmijët e Markut.
“Ata kanë humbur gjënë më të shtrenjtë, kanë humbur nënën. Unë nuk e di nëse do jem ndonjëherë afër nënës, por që jam një shoqe shumë e mirë, jam që tani. Kam zgjedhur një rrugë të vështirë, se nuk është e lehtë që fëmijëve që kanë humbur nënën dhe prindërve të tij me zemër të lënduar t’u kthesh buzëqeshjen. Unë e kam bërë! Sa herë u drejtohem fëmijëve të tij, mendoj si do doja që t’i drejtohej dikush fëmijës tim. Ne tashmë jemi një familje”, përfundoi Rudina.
Ndërsa pyetjes nëse do të martoheshin, ajo iu përgjigj: “Sigurisht që po”. Edhe pyetjes nëse do të ketë fëmijë tjetër me Markun, pra nëse do ta bënte Viktorian me një motër ose vëlla tjetër, Rudina u përgjigj e bindur me “Po”.
Në një moment të intervistës, ajo theksoi faktin se është kokë e këmbë e dashuruar me Mark Frrokun, janë shumë të zënë me biznesin, udhëtojnë shumë dhe se te Marku gjeti karakterin e njëjtë të babait të saj.
Që prej momentit kur Rudina e bëri publike lidhjen e saj, nuk ka ngurruar të ndajë me ndjekësit në “Instagram”, momente të ndryshme me partnerin e saj, madje dhe mesazhet private me të, ndaj pritet që të njëjtën gjë të bëjë dhe me ceremoninë e dasmës, ku flitet se do të jetë i ftuar edhe ish-burri.
Për sa u përket thashethemeve se është lidhur me ish-deputetin për paratë e tij, Rudina i mohoi duke thënë se e do atë dhe fëmijët e tij. “Po ta dinin njerëzit se leku nuk puthet dhe përqafohet, nuk do të ishin kaq ziliqarë për lekun. I kam dhënë provat që kam shije. Mekaniku është goxha çun, Aleksi. Edhe Marku që është një superburrë”.
“Unë dua Markun dhe fëmijët e tij. Ai punon shumë për të arritur të ardhurat e veta. Unë punoj shumë për të arritur të ardhurat e mia. Meqë Marku ka më shumë të ardhura se unë, kjo nuk sjell asgjë të keqe, por vetëm të mira. Jemi 50 me 50, sepse jemi me ortakë ligjorë te restoranti.
E mëson goca si të më bëjë dhurata, sepse nuk di të bëjë. Marku ma ka thënë që s’e ka menduar kurrë se do lidhej me dikë që ka lidhje me televizionin, një aktore që vishet me transparente dhe njeri pa filtra. Por ka kuptuar natyrën time dhe e ka pranuar. Nuk jam xheloze fare për të. E di që e gjuajnë, sepse është akoma seksi. Nëse nuk e gjuajnë, do bëhem merak. Nuk ia prek telefonin. M’i tregon dhe më bën të qesh. Marku është princi i Pukës dhe i zemrës sime”, tha ajo në këtë rrëfim publik në televizion.