Qifqi Gjirokastre

Përbërësit

500 gr oriz (ose dy gota uji të mbushura plot me oriz)
4 kokrra vezë
një dorë nenexhik (dhjozmë)
sipas dëshirës piper i zi
kripë
vaj ulliri

Përgatitja
Vendosim në zjarr një enë me ujë (ku do ziejmë orizin), i hedhim kripën dhe e lemë derisa të vlojë. Pastaj shtojmë orizin dhe e lemë të ziejë për rreth 12 min. Pasi të ketë zierë, e lemë që të ftohet pak.
Ndërkohë, në një enë fillojmë të rrahim vezët.Vezëve u shtojmë nenexhikun (ose dhjozmën, siç i thonë gjirokastritët) dhe pak piper të zi të grirë. Vazhdojmë dhe e trazojmë masën.Në enën ku po rrahim vezët shtojmë orizin dhe e trazojmë me kujdes, në mënyrë që orizi të lidhet plotësisht me masën e parë.
Vendosim në zjarr tiganin me gropëza (tigan i posaçëm për qifqi) dhe mbushim gropëzat me vajin e ullirit. E lemë derisa vaji të nxehet mirë.Marrim me lugë nga masa e orizit me vezë, nenexhik e piper, dhe mbushim gropëzat për ta skuqur.Pas njëfarë kohe, i kthejmë nga ana e kundërt, në mënyrë që të skuqet edhe pjesa e përparme.Pasi kanë marrë ngjyrë, i heqim nga zjarri dhe qifqitë janë gati për t’u konsumuar.

Leave a Reply