Per here te pare turistët nga Kosova “braktisin” Durrësin kete verë

Numri i madh i turistëve është kryefjala e këtij sezoni turistik në Shqipëri. Durrësi është një ndër qytetet më të vizituara në vend.

Gazetarja Klodia Gjuzi informoi në “Good Morning Albanians” se duke u referuar rezervimeve deri tani, janë 168 hotele, 4859 dhoma dhe 70% e tyre janë të rezervuara për periudhën qershor-korrik.

Gazetarja tha gjithashtu se kosovarët kanë “braktisur” Durrësin këtë verë, kjo dhe për shkak të liberalizimit të vizave.

“Në fakt, ka një ndryshim këtë sezon, kosovarët kanë “braktisur” Durrësin. Për shkak të liberalizimit të vizave, duket se kanë zgjedhur vendet e tjera të Evropës për të kaluar pushimet, dhe Durrësi tashmë është një destinacion i dytë”, tha ajo.

“Por mungesa e shkaktuar pikërisht për shkak të shqiptarëve të Kosovës, është duke u mbuluar nga gjermanët, francezët, anglezët, italianët. Tashmë polakët dhe çekët, investojnë në pasuri të paluajtshme, nuk vijnë më si turistë, por vijnë si qytetarë dhe rezidentë në Durrës. Ata që marrin pjesën më të madhe të turistëve vijnë nga Britania e Madhe, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë shtete që më herët nuk kishin pasur një traditë për të vizituar qytetin e Durrësit, por duket se e kanë shtuar në guidat e tyre turistike, duke vizituar pikat arkeologjike, por duke kaluar edhe disa ditë pushimi në bregdet”, thotë Gjuzi.

Numri i madh i turistëve vjen nga shtetet e Evropës si Italia, Britania e Madhe, Franca, por po ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të interesuar për të njohur më shumë qytetin e vjetër arkeologjik.