Nje fillim jave me shi dhe mot te fresket ? Ja kur pritet rikthimi i diteve me diell sipas meteorologes

Kjo javë do të jetë e karakterizuar nga mot i paqëndrueshëm, me temperatura të ulëta dhe reshje shiu në disa zona të vendit.

Meteorologia Tanja Portja nga MeteoAlb tregon për Abcnews.al se mesi i javës do të sjellë ndryshime më dukshme në pjesën më të madhe të territorit. E njëjta situatë paraqitet edhe në rajon, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kjo javë do të dominohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike duke bërë që moti të jetë kryesisht i kthjellët në bregdet dhe zonat e ulëta ndërkohë zonat malore mbeten të rrezikuara nga vranësia dhe rrebeshe afatshkurta shiu. Mesi i javës do të sjellë ndryshime më të dukshme në pjesën më të madhe të territorit.

Ndërkohë dita e premte dhe fundjava mbeten në zonat lindore të rrezikuara nga rrebeshe shiu dhe shira më të pakët në pjesën tjetër të territorit. Vija bregdetare thuajse zero do të ketë reshje.

Sa i përket vlerave termike mëngjeset do të vijojnë të jenë relativisht të freskët. Vlerat minimale pritet të shënohen në verilindje apo juglindje deri në 9 apo 10 gradë. Ndërkohë sot dhe nesër maksimalja pritet të jetë jo më shumë se 29 gradë.

Mesi i javës do të sjellë dhe rritje apo kapërcim të kësaj vlere deri në 30 apo 31 gradë Celsius. Ndërkohë fundjava do të sjellë një freskim të lehtë të motit.

Edhe vendet e rajonit mbeten në kushte të paqëndrueshme të motit duke bërë që territori i Kosovës gjatë gjithë kësaj jave të jetë i rrezikuar nga rrebeshe afatshkurtra shiu herë pas here shoqëruar nga stuhi afatshkurtre ere.

Paradite nuk do mungojnë intervalet me kthjellime. Pjesa e dytë e ditës mbeten të rrezikuara nga reshjet e shiut. Pritet që fundjava të sjellë një rënie të lehtë të vlerave termike.

Maqedonia e Veriut karakterizohet nga moti kryesisht i kthjellët. Mesdita dhe pasditja do sjellin zhvillim të shpejtë të vranësirave duke sjellë reshje shiu.

Deri ditën e premte mbetemi në kushte të paqëndrueshme atmosferike ku vranësirat do të jenë të pranishme.

Vlerat do jenë nga 8-25 gradë. Mesi i javës do sjellë rritje të lehtë ndërsa të premte sjell freski dhe rënie të lehtë të temperaturave”, shprehet ajo./abcnews.al