Pas shumë vitesh bashkë, një dashurie të konsoliduar dhe një vajze bashkë, çifti i njohur i këngëtarëve Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, janë zyrtarisht burrë dhe grua.
Çifti janë martuar në fshehtësi disa javë më parë, gjatë pushimeve të tyre në Maldive.
Këtë gjë e kanë zbuluar Albani dhe Miriami ditën e sotme, duke publikuar fotografi nga ceremonia përrallore, të shoqëruar nga vajza Ameli.
Albani dhe Miriami shkruajnë në profilet e tyre: “PO! U deshën 12 vite që të quheshim zyrtarisht Burrë e Grua por në zemër kemi qenë dhe jemi ende ata dy të rinj ëndërrimtarë që përtej ceremonive gjithmonë e kanë ndjerë thellë në shpirt se janë bëre për njeri-tjetrin. U deshën 12 vite të thonim PO përpara Zotit dhe njerëzve që na duan por në të vërtetë zemrat kanë thënë përgjithmonë PO nga momenti i puthjes së parë! U deshën 12 vite të vishnim kostumin dhe fustanin e nusërisë e të shkëmbenim unazat kur ndërkohë kemi jetuar nën lëkurën e njeri-tjetrit çdo gëzim e hidhërim dhe kemi ndarë çdo të mirë e të keqe që jeta na ka ofruar.
Fati dhe shpirti donin që ky moment i shënuar të merrte jetë pikërisht aty ku në vitin 2013 ai propozim i pazakontë na la për pak pa frymë të dyve, por këtë herë jo në botën e magjishme nënujore por vetëm pak metra më larg, në sipërfaqen e një ishulli të pa banuar. Një pikë e bardhë në mes të oqeanit. Zhveshur nga të gjitha dekoret e krijuara nga dora e njeriut dhe veshur nga bukuritë përrallore që ka krijuar dora e Zotit.
Duhet të prisnim 12 vite që kjo ditë të merrte kuptimin e plotë të saj me prezencën e engjëllit tonë, Amelisë.