Babai shpik aplikacionin që bllokon telefonat e fëmijëve deri kur ata t’ju përgjigjen prindërve

Shumë prindër ankohen për fëmijët e tyre se ata nuk iu kthejnë përgjigje mesazheve të tyre ose nuk ua hapin telefonat.

Duket se ky problem tashmë ka marrë fund, pasi një prind nga Britania e Madhe, i frustuar nga injorimi që i bënte i biri, ka shpikur një program që bllokon telefonat e fëmijëve nëse ata nuk iu përgjigjen mesazheve të prindërve.

45-vjeçari, Nick Hebert, ka krijuar aplikacionin ReplyASAP, i cili bllokon ekranin e telefonit, duke lëshuar një alarm deri sa fëmija t’i kthejë përgjigje prindërve.

Z. Herbert, nga West Wickham, në jug-lindje të Londrës, shpreson të shesë aplikacionin dhe të përfitojë nga zhgënjimi i shkaktuar nga djali i tij 13-vjeçar Ben.

Ai tha:

Djali im filloi studimet në Langley Park School disa vjet më parë dhe ka një smartphone. Ai gjithmonë luan lojëra dhe e ka telefonin në heshtje. Kjo më çmend. Shpresoj që aplikacioni do ta bëjë marrëdhënien tonë më të mirë.”
Por ka një problem të vogël, pasi aplikacioni në fjalë funksionon vetëm në Android, por djali i tij ka një telefon iPhone.

Megjithatë, Z. Herbert pranoi se aplikacioni nuk do të jetë aq i popullarizuar nga të rinjtë sa Snapchat, Instagram, Angry Birds ose PokéFarm.

45-vjeçari shtoi:

Ndërsa ata janë adoleshentë, e kuptoj se nuk do të jenë shumë të interesuar. Djali im nuk ka thënë ndonjë gjë negative për aplikacionin. Nëse kam diçka të rëndësishme për të thënë unë do të dërgoj një mesazh urgjent. Shpresojmë se do t’i bëjë gjërat pak më të lehta.”
Z. Herbert kaloi tetë muaj dhe një pjesë të parave të holla që kishte kursyer për të zhvilluar aplikacionin, por ai ka shpresë se do t’i fitojë këto para.

Aplikacioni kushton 1.22 dollarë për t’u përdorur me një fëmijë, 3.03 dollarë për të gjurmuar katër persona, 8.51 dollarë për 10 persona dhe 15.82 dollarë për versionin më të avancuar, i cili lidhet me 20 numra.

Të gjithë përdoruesit marrin një lidhje interneti falas kur shkarkojnë aplikacionin dhe do të jenë në gjendje të lidhen me një fëmijë falas për të testuar programin, përpara se të kryejnë pagesën.

Z. Herbert tha:

Unë mendova se ‘ndoshta është vetëm djali im që s’e lëshon nga dora telefonin dhe nuk na kthen përgjigje kur i shkruajmë. Por pasi fola me prindërit e tjerë, kuptova që ky është një problem më i madh sesa mendoja.”
Burimi: LADbible|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania