Zhurmat në vesh dhe problematikat e saj
Nga Arvenol Meta, audiolog
Shumë persona ankohen nga zhurmat në vesh. Por çfarë janë ato?
Zhurmat në vesh ose siç njihen ndryshe si Tinnitus nga latinishtja janë bezdisje në njërin ose në të dy veshët në forma të ndryshme si fishkëllima, zhurma e televizorit të vjetër kur nuk kap kanal, gjinkalla, zhurma e ujit apo një çezme të hapur, në formën e erës që fryn, e ngjashme me rrahjet e zemrës, etj.
Çfarë lloj sëmundje është?
Tinnitus nuk konsiderohet një sëmundje, por kemi të bëjmë me një sindromë multifaktoriale dhe si rrjedhojë shkaqet që mund të çojnë në shfaqjen e saj mund të jenë të ndryshme dhe jo gjithmonë të lidhura së bashku.
A mund të shfaqen sërish?
Tinnitus është një gjendje që mund të klasifikohet në dy kategori bazuar në kohëzgjatjen e saj
Tinnitus akut i cili shfaqet papritur apo pas një ekspozimi ndaj një zhurme të beftë dhe të fortë dhe normalisht nuk zgjat më shumë se nga disa orë deri në 3 muaj.
Tinnitus kronik ndodh kur kjo gjendje e nisur si një tinnitus akut zgjat përtej 3 muajve me intensitet të ndryshëm.
A janë të gjitha zhurmat në vesh njësoj?
Tinnitus gjithashtu ndahet edhe në dy kategori të rëndësishme
a) tinnitus subjektiv (ndihen vetëm nga personi që i ka)
b) tinnitus objektiv (përvec personit që i ka i dëgjojnë edhe personat pranë tij)
Si mund të diagnostikohet një Tinnitus?
Diagnostikimi i tinnitus nuk është gjithnjë i lehtë, si për nga kompleksiteti që ka por edhe nga situata të ndryshme që shkakton. Shpeshherë në diagnostikimin e tij përfshihen një sërë figurash profesioniste mjekësore ORL, audiologu, neurologu, psikiatri, endokrinologu etj.
Procedurat e diagnostikimit fillojnë nga kabineti i ORL/AUDIOLOGJI ku mund të kryhen një sërë testesh për të bërë një vlerësim sa më të hollësishëm të funksionimit otologjik.
a) ekzaminimi objektiv ORL
b) audiometri tonale
c) timpanometri dhe reflekse stapediale
d) akufenometri
e) audiometri vokale liminare dhe sopraliminare
f) ABR
g) DPOAE
Për më shumë informacion ose vizitë me mjekët tanë kontaktoni në 042357535 ose klikoni në: rezervime.spitaliamerikan.com
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!
SHIKO.NEWS