Ulet avioni i parë në Rinas, kontrollorët që bojkotuan punën zëvendësohen me turq

Fluturimet u ndërprenë për më shumë se 24 orë, ndërsa sot është ulur avioni i parë në aeroportin e Rinasit.

Sipas FlightRadar, mësohet se avioni i parë i ulur në pistës i përket kompanisë shqiptare edhe është nisur nga Stambolli.

Avioni i parë që u ul në pistën e Rinasit sot pasdite mësohet se solli sasinë e vaksinave të planifikuara kundër covid-19.

Mësohet po ashtu se disa nga kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror që bojkotuan punën janë zëvendësuar me turq.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur më herët gjatë ditës së sotme se kontrollorët do të zëvendësoheshin pasi ishin në negociata me vende të BE-së dhe Ballkanit.

Komiteti i Emergjencave Civile dha miratimin për zëvendësimin e tyre pasi kjo shkurton edhe procedurat e zëvendësimit e këtyre punonjësve.

Ndërkohë, tre nga kontrollorët që janë cilësuar si organizatorë të krizës, janë arrestuar dhe të shtunën pritet të dalin para gjykatës.

Urdhri i ndalimit u dha për Armando Fezgën, Flora Ndrecën dhe Muhir Mezinin, ndërsa 25 të tjerë pasi u morën në pyetje, u lanë më pas të lirë. /a.m/NOA.al