Si trajtohet “perdja” e syrit nga mjeku okulist Sabri Raza

E cilësuar si sëmundja më e përhapur e moshës së tretë, katarakti, apo ajo që e quajnë “perde”, njihet si shkaku kryesor i verbimit te personat mbi 60 vjeç . Por, lajmi i mirë është se ky dëmtim është tërësisht i rikuperueshëm.

“Perdja” mund të hiqet për t’u zëvendësuar me lente dhe pacienti të shikojë si më parë. Por cilat janë sinjalet që një person ta kuptojë se syri i tij ka vënë perde, si ta trajtojë, sa gjatë duhet të presë për ta hequr atë, na i shpjegon në një intervistë mjeku okulist Sabri Raza.

Doktori i shkolluar e specializuar në Turqi dhe që prej vitesh ka zgjedhur ta ushtrojë profesionin e tij në vend, na jep përgjigjen e pikëpyetjeve më të shpeshta që bëjnë pacientët, syri i të cilëve ka vënë perde.

Raza bind përse perdja nuk duhet lënë të piqet apo të avancojë. Përveçse çon në verbim të plotë, ndërhyrja bëhet më e vështirë dhe me komplikacione për pacientin në kohë të mëvonshme. Ai vjen në ndihmë dhe me një grup këshillash përpara operacionit duke u mirinformuar për llojin e lentes si dhe kujdesin që duhet treguar në shmangien ose vonimin e formimit të kataraktës në sy.

syri

Çfarë është katarakti? Katarakti, ose “perdja”, është opacifikimi i kristalinit. Kristalini është në madhësinë e një lajthie dhe qëndron brenda syrit e lidhur me disa fije të holla (zonula) dhe shërben për të fokusuar imazhin në retinë. Me kalimin e moshës, metabolizmi e kristalinit prishet dhe humbet tejdukshmërinë. Si rrjedhojë, drita nuk futet në sy dhe pacienti sheh njësoj sikur shikon pas xhamit me avull.

Nisur nga rastet që vijnë te ju, në çfarë moshe formohet perdja? Në përgjithësi është sëmundje e moshës së rritur. Si çdo organ tjetër në trup, edhe në kristalinin e syrit ndodh plakja e natyrshme. Por kataraktin e shikojmë dhe në mosha të reja. Incidenca më e madhe është 60-65 vjeç. Sot njerëzit janë më aktivë se më përpara. Nëse pacienti ka pak ankesa me shikimin që ka, vjen menjëherë te okulisti. Kjo varjon pastaj dhe nga interesat e çdo personi dhe puna që bën. Ka pacientë që nuk kanë veprimtari intensive, me nivel shikimi 60%, që për ta është i mjaftueshëm. Ndërsa për një tjetër që mund të jetë shumë i dhënë pas librit apo bën diçka tjetër ku nevojitet shikim maksimal, ky nivel nuk është i mjaftueshëm.

A mund ta kuptojë një person që syri i tij ka vënë “perde”. Nëse po, si? Zakonisht janë familjarët ata që konstatojnë se pacienti nuk na dallon. Këto janë raste ekstreme kur perdja e ka mbyllur të gjithë shikimin. Në qoftë se pacienti është vizituar rregullisht dhe më përpara ka marrë syze, në kohën kur ato nuk i mjaftojnë më për të shikuar, kjo është një shenjë që syri i tij ka vënë perde. Një provë shumë e mirë për ta kuptuar nëse syri i një personi ka vënë perde, është ecja me makinë natën. Nëse është formuar katarakt, rrezet e forta shkojnë dhe reflektojnë në syrin e tij dhe në këtë moment ai nuk është i përqendruar në timon. Pra, nëse një person ka probleme me dritat natën e është mbi 60 vjeç, duhet të bëjë një vizitë okulistike. Shkak tjetër është dhe diabeti, i cili bën që të formohet më herët katarakti. Në qoftë se ka një sëmundje të syrit, tensioni i syrit, infeksion të brendshëm që quhet uveit, nëse syri është ambliop, nëse pacienti ka një histori traume, e përshpejton krijimin e perdes. Ka raste që brenda muajit formohet perdja, duke bërë që drita të mos futet fare në sy. Pacienti në përgjithësi shkon te doktori me shqetësimin se i ka ndryshuar numri i syzeve ose nuk i mjaftojnë syzet që përdor. Kur e shikojmë pacientin me një aparature që quhet biomikroskop, atëherë dallojmë zverdhjen e kristalinit.

A ndodh menjëherë ulja e shikimit? Si proces është i ngadaltë. Pacienti mund të vijë te mjeku pa e ditur që ka katarakt, vetëm me ankesat se i ka ndryshuar numri i syzeve. Përderisa si proces është i ngadaltë, pacienti nuk e kupton që ka katarakt. Për shembull, niveli i shikimit të pacientit është te 60%, por ai kujton sikur shikon 100%. Kjo gjë mund të jetë shkak për shumë probleme dhe si rrjedhojë, ulet cilësia e jetesës. Pacienti, kur është në timon, ndikohet nga dritat e forta dhe mund ta shikojë ndryshimin me syrin tjetër vetëm pasi është operuar në njërin sy. Katarakti ka disa lloje dhe procesi i plakjes ndryshon nga personi në person. A avancon ajo? Ne këtë nuk e dimë. Ka raste që avancon për 6 muaj derisa t’i bllokojë të gjithë shikimin, e po ashtu ka raste që avancon edhe për pesë vite. Kështu që nëpërmjet vizitave periodike, ne e konstatojmë duke mbajtur nën vëzhgim ecurinë e shikimit. Ka disa faktorë, si përdorimi i kortizonit në doza të larta apo rrezet ultravioletë, që mund të shpejtojnë në avancimin e kataraktës. Ndërsa, kur ka ndonjë traumë në sy, ajo mund të avancojë brenda 2-3 muajsh.

Neglizhenca e kataraktit që ka formuar syri, a mund të çojë deri në verbim? Ulja e plotë e shikimit ndodh në fazat e fundit të procesit. Tejdukshmëria e kristalinit ulet totalisht dhe rrezet nuk depërtojnë dot në retinë. Prandaj dhe populli i thotë “perde”. Katarakti është nga shkaqet e rikuperueshme të verbimit. Në vendet e treta të botës, është shkaku primar i verbimit.

A duhet të presim derisa të “piqet” katarakti? Deri para disa vitesh, heqja e kataraktit behej me incizione të mëdha dhe hiqej i plotë kristalin, i cili kishte zhvilluar katarakt. Tani metoda që përdoret për të hequr kataraktin quhet fakoemulsifikim. Me këtë metodë bëhen incizione të vogla në sy dhe nuk hiqet në mënyrë të plotë katarakti, por copëtohet (emulsifikohet) brenda syrit dhe hiqet. Në kohën që pacientët e lënë që katarakti të shkojë në fazat e fundit dhe të bllokojë të gjithë shikimin, atëherë dhe heqja me emulsifikim mund të dëmtojë syrin. Prandaj, rekomandimi që u japim pacientëve, është që katarakti tani duhet të hiqet pa arritur në faza të avancuara.

Operacioni është e vetmja zgjidhje? Ndodh shpesh që pacientët kërkojnë të marrin syze, pasi nuk kanë mundësi të operohen. Në rast se do të ishte një mundësi e tillë, nuk do të ekzistonte ndërhyrja. Kristalini që është brenda syrit, e ka humbur tejdukshmërinë. Ne japim syze në kohën që kristalini është i pastër. Syzja mund ta qetësojë pak, por për një kohë shumë të shkurtër, 2-3 mujore. Ama, syzja nuk është alternativë. Trajtimi i kataraktit është kirurgjikal. Koha se kur do të bëhet, varjon nga pacienti në pacient, nga lloji i kataraktit. Dëgjojmë shpesh që “ka katarakt, duhet operuar urgjent”. Operimi urgjent bëhet kur rrit tensionin e syrit ose kur ka traumë dhe dëmton pjesët e brendshme të syrit. Ama, trajtimi kirurgjikal nuk është urgjent në kataraktë. Kjo nuk do të thotë që pacientët ta neglizhojnë duke e lënë “të piqet” katarakti, por është ndërhyrje që duhet bërë. Më parë, kjo ndërhyrje ka qenë e vështirë. Operimi zgjaste deri 1 orë. Por siç e shpreha me sipër, operimi tani bëhet me emulsifikim dhe është lehtësuar edhe puna e kirurgut, edhe e pacientit. Pacienti, për një kohë të shkurtër, mund të kthehet në jetën e përditshme.

Si bëhet ndërhyrja? Ndërhyrja bëhet me anestezi lokale. Nëpërmjet fakoemulsifikimit katarakti hiqet dhe në vend vendoset lente artificiale. Populli këtë lloj ndërhyrjeje e njeh dhe si lazer. Është ndërhyrje pa dhimbje. Kohëzgjatja e ndë- rhyrjes varjon nga rasti në rast. Mesatarja duke hequr dhe fazën përgatitore është 15 minuta. Në sy nuk vendosen penj. Atë ditë pacienti e mban syrin e mbyllur. Të nesërmen pasi kontrollohet edhe një herë syri, pacienti fillon ilaçet. Kohëzgjatja e përdorimit të ilaçeve ndryshon nga pacienti në pacient. Normalisht ilaçet përdoren për 2 javë.

Cilat janë llojet e lenteve që vendosen në sy? Pasi hiqet katarakti, vendoset lentja artificiale. Ka lentë monofokale, që do të thotë se pacienti, pas ndërhyrjes, do shikojë ose për larg, ose për afër. Kjo vendoset pasi diskutohet me pacientin. Tani ka dhe lente multifokale që mundësojnë shikim për afër të ndërmjetëm dhe për larg. Pacienti, para se të bëjë ndërhyrjen, duhet të informohet mirë për llojin e lentes që do të vendoset në sy.

Çfarë duhet të ketë kujdes pacienti? Ndërhyrja e kataraktit nuk bëhet në pjesën e jashtme, por në pjesën e brendshme të syrit. Eksperienca dhe trajnimi i kirurgut janë shumë të rëndësishme në këtë lloj ndërhyrje. Ndërhyrja bëhet në sallën e operimit. Salla duhet të ketë kushtet sterile dhe aparaturat që përdoren duhet të jenë bashkëkohore. Kësaj ndërhyrjeje, megjithëse është ndërhyrje e lehtë, duhet t’i kushtohet kujdes si çdo lloj ndërhyrjeje tjetër që bëhet në trup.

A përsëritet katarakti me kalimin e kohës? Një pyetje që e bëjnë shumica e pacientëve para se të marrin vendimin për ndërhyrje. “Perdja e syrit” një herë hiqet dhe zëvendë- sohet me lente. Me kalimin e kohës, pjesa prapa lentes, kapsula posteriore, fillon dhe e humb tejdukshmërinë. Ky është një shkak për uljen e shikimit pas operimit të kataraktit. Ka disa faktorë që ndikojnë në opacifikimin e kapsulës prapa. Një nga shkaqet kryesore është cilësia e lentes që përdoret për të zëvendësuar kataraktin. Prandaj, pacientët kur të operohen duhet të informohen në lidhje me cilësinë e lentes që do të përdoret në zëvendësimin e kataraktit. Opacifikimi i kapsulës pastrohet me lazer. Pastaj nuk kemi me ulje të shikimit për sa i përket kataraktës. Pacienti mund të ankohet për ulje të shikimit përsëri, por kjo nuk vjen më nga katarakti, por nga probleme të tjera të moshës; glaukoma, retina ose nervi optik.

A mund të parandalohet “perdja” e syrit? E gjithë bota po merret me këtë. Ka studime që flasin për anën preklinike. Do të ishte mirë që ato gjëra që i kemi në dorë, t’i bëjmë. Syzet e diellit jocilësore që përdoren nuk e reflektojnë rrezen ultravioletë. Në kohën që rrezja futet në sy, kjo mund të shkaktojë jo vetëm katarakt, por dhe probleme të tjera të retinës. Kështu që me përdorimin e produkteve të mira optike, mund të parandalojmë. Një tjetër shkak është ambliopia. Nëse fëmija përdor syze dhe nuk e lë ambliopinë të zhvillohet, ndihmon në mosformimin e “perdes” në moshë të vonë.

Ka disa supozime të tipit: “perdja” e syrit është sëmundje infektive, apo që syri vë “perde” kur lodhet? Perdja nuk është sëmundje infektive sepse infeksioni në kohën që merret nga një trup në një tjetër, duhet të ketë dhe një vektor. Kjo është sëmundje e kristalinit, që është lentja natyrale brenda syrit, që me kalimin e kohës, siç plaket lëkura, e cila fillon e rrudhet e prish metabolizmin e vet, edhe kjo plaket. Sa i takon hipotezës së dytë, që syri vë perde kur lodhet shumë, mund të thosha të kundërtën. Një sy kur lexon, është si hekuri. Nëse e fut në punë, nuk ndryshket. Këtë e shohim te pacientët që janë në moshën e përdorimit të syzeve për afër. Nëse është një person që ka lexuar më përpara, muskujt e syrit i ka mbajtur shumë më të freskët duke e vonuar përdorimin e syzeve për afër. Nëse është një person që nuk ka lexuar shumë, ai i ka më të nevojshme syzet.

Katarakti shfaqet vetëm te të moshuarit? Në familjet që kanë katarakt në moshë të hershme, risku për të qenë dhe fëmijët me katarakt është me i lartë. Tani i shikojmë këto probleme dhe te moshat 30-40 vjeç. Madje, kur pacienti kupton që ka katarakt në këtë moshë, mërzitet. Por kur u shpjegojmë që kirurgjia e kataraktit është në faza shumë të avancuara dhe materialet e lenteve që përdoren janë shume cilësore, atëherë këto pacientë qetësohen.

A duhet të hiqet çdo lloj “perdeje”? E rëndësishme është shqetësimi që ka pacienti dhe grada e shikimit. Një sy që operohet, është i predispozuar edhe për probleme të tjera, një nga këto është çarja e retinës. Një sy që operohet është 4 herë më me risk. Ndryshe është një person që është 40 vjeç dhe ndryshe një tjetër 70 apo 80 vjeç. Moshat 40 vjeç nëse ka perde dhe ulje të shikimit duhet patjetër të operohet pasi katarakti avancon. Ky lloj që e hasim në këto mosha, quhet juvenilie. Ai mund ta ketë që nga lindja, shikimin e ka të mjaftueshëm dhe s’ka përse të operojë. Ndërsa katarakti në mosha të mëdha ka tendenca të avancojë deri sa ta bllokojë të gjithë shikimin. Prandaj, rekomandohet ndjekja në vazhdimësi.