“Asnjë nga ne nuk është i imunizuar për të mos u prekur nga kanceri i lëkurës, ndaj është e rëndësishme të njohim faktorët e riskut, ku mund të veçohet numri i madh i nishaneve (mbi 50) historia familjare dhe fenotipi I dhe II i lëkurës, ku përfshihen personat me lëkurë të çelët dhe flokë biondë apo të kuq”.
Kështu pohon mjekja dermatologe Monika Fida, e cila e vendos theksin te diagnostikimi i hershëm. Sipas saj, zbulimi dhe trajtimi në formën sipërfaqë- sore mund të ulë ndjeshëm shkallën e sëmundshmërisë dhe vdekshmërinë nga kjo patologji. “Duhet ditur që 90 për qind e kancerit të lëkurës mund të kurohet, nëse zbulohet në kohë. Diagnostikimi i hershëm, qoftë i Karcinomave Bazoqelizore ose Spinoqelizore, qoftë i melanomës si kancer malinj i lëkurës mund pasohet me një prognozë të mirë”.
EKZAMINIMET E LËKURËS
Ngjyra e nishaneve dhe madhësia e tyre janë dy nga treguesit e parë, mbi të cilat ne kemi kontroll të plotë, pasi mund ti monitorojmë edhe vetë pa u dashur t’u nënshtrohemi ekzaminimeve mjekësore. Doktoresha na ndihmon të kuptojmë më mirë ndryshimet që nishanet mund të pësojnë, duke na njohur me pamjen normale dhe transformimin e tyre nëse ka predispozitë për shfaqjen e kancerit.
“E rëndësishme është që secili të kryejë vetë ekzaminime të lëkurës për të kapur në kohë ndryshimet që mund t’i ndodhin një nishani ekzistues apo zhvillimin e një nishani të ri. Nevuset, nishanet normale, paraqiten me ngjyrë kafe në të zezë në lëkurë. Mund të jenë të rrafshëta apo të ngritura, ovale ose të rrumbullakëta, me madhësi më të vogël se 6 mm, me kufij të rregullt.
Disa prej nevuseve mund të shfaqen në lindje apo në moshën fëmijërore. Nevuset e reja, që shfaqen gjatë jetës, duhen të kontrollohen herë pas here nga mjekë specialistë. Nevuset mund të qëndrojnë me vite të pandryshuar në ngjyrë, përmasa dhe kufij, por disa prej tyre mund të ndryshojnë pamjen e mëparshme. Është e rëndësishme të vlerësohen ndryshimet që pëson nishani.
Kjo mund të sugjerojë për zhvillimin e një Melanome. Shenja shqetësuese më e rëndësishme për melanomën është shfaqja e një nishani të ri apo një nevus ekzistues që po ndryshon përmasat, ngjyrën dhe kufijtë”, pohon mjekja dermatologe. Sipas Fidës, këshillohet të bëhet ekzaminimi rutinë i lëkurës nga vetë pacienti para pasqyrës dhe përmes një pasqyre të vogël për pjesët e paarritshme të trupit, për të kapur në kohë ndryshimet e hershme të një nishani (në ngjyrë, përmasa, kufij) dhe kjo të bëhet disa herë në vit.
“Në rast ndryshimi të ndonjë nevusi ose në rast se vërehet ndonjë nevus i ri në lëkurë, pacienti duhet të ekzaminohet te mjeku dermatolog për një check-up profesional dermatoskopik. Nevuset atipik duhet të kontrollohen në mënyrë periodike me dermatoskopi dixhitale për të përjashtuar një melanomë të mundshme.
Personat me nevuse atipike janë më të rrezikuar ndaj shfaqjes së malanomës, për këtë arsye, mjeku specialist i rekomandon ekcizim kirurgjikal dhe ekzaminim histopatologjik. Vetë ekzaminimi mund të reduktojë fatalitetin e melanomës me 63 %. Shumë i rëndësishëm është fakti që, diagnostikimi sa më hershëm i melanomës mund të ketë prognozë të mirë”, thekson më tej doktoresha.
TË RISKUAR
Përveç historisë familjare, tipit të lëkurës apo edhe numrit të nishaneve, faktor risku është edhe mosha. Duket se me kalimin e viteve, rritet mundësia për shfaqjen e melanomës. Sipas mjekes dermatologe, Monika Fida, meshkujt mbi 50 vjeç kanë më tepër predispozitë. Po ashtu, personat që aplikojnë nxirjen e lëkurës nëpërmjet solarëve kanë risk të preken nga Melanoma 59 për qind. “Rreth 2/3 e rasteve të diagnostikuar me Melanomë, shkaktohet nga rrezatimi UV.
Reduktimi i rrezatimit UV ul numrin e rasteve të reja. Veçanërisht është shumë e rëndë- sishme të mbrohen fëmijët ndaj rrezatimit dhe të mos digjen gjatë ekspozimit në plazh, pasi kjo rrit rrezikun e shfaqjes së kancerit të lëkurës dhe Melanomës në moshat adulte. Të gjithë duhet të inkurajojmë ndryshimin e sjelljes ndaj ekspozimit UV (shmangia e qëndrimit në diell në orët ku rrezatimi UV është më intens ora 10-16, përdorimi i çadrave, kapelave, kremrave me faktor të lartë mbrojtës dhe riaplikim i tyre çdo 2 orë)”, shton Fida.