Shenjat e dhjamosjes se melcise dhe si ta trajtoni nga mjeku Aurel Zaimi

Sot gjithkush mund të konsumojë atë që do e në momentin që e dëshiron. Në mos të freskët, të paketuar bukur në supermarkete, me shumë shije e boom kalorish. Masivizimi i tregjeve dhe bashkë me to edhe i produkteve të gatshme, shumica të importuara, ka bërë që kohët e fundit mjekët të hasin shpesh në praktikën klinike, pacientë me mëlçi të dhjamosur si shkak i akumulimit të yndyrës në këtë organ me rëndësi. Pasojat dihen.

Mëlçia ngadalëson tretjen, duke bërë gjithnjë e më të pamundur filtrimin e gjakut dhe tretjen e dhjamit e duke shkaktuar obezitet. Kjo diagnozë, që vjen edhe si pasojë e komplikacioneve nga sëmundje të tjera, konsumit të tepërt të alkoolit apo ushqimeve me yndyrë, sipas mjekut gastrohepatolog Aurel Zaimi, për fat të keq vërehet shpesh në kontrolle rutinë.

doktorTë paktë janë ata që me vullnet të lirë bëjnë ekzaminimet përkatëse për gjendjen e organit jetësor të organizmit të tyre. Por, duhet theksuar se nëse personat e diagnostikuar nuk marrin masa në kohë, situata mund të agravojë deri në pasoja fatale me nxjerrjen jashtë funksioni të mëlçisë. Për këtë, doktor Zaimi na vjen në ndihmë me simptomat nëpërmjet cilave një person mund ta kuptojë që dhjami ka “pushtuar” mëlçinë e tij e bashkë me të dhe një grup këshillash e dietë ushqimore për trajtimin në kohë e me metoda natyrale, pa pasur nevojë për medikamente.

Çfarë është mëlçia e dhjamosur?

Dhjamosja e mëlçisë (akumulimi i yndyrës në mëlçi) është një fenomen, të cilin po e hasim gjithnjë e më tepër në praktiken klinike. Është prezentë si te femrat, ashtu dhe te meshkujt, me një predominancë me të madhe te këta të fundit. Numri i personave të detektuar me ketë fenomen është gjithnjë në rritje. Po kështu, dhe për sa u përket grupmoshave po shihet një tendencë që dhjamosja e mëlçisë të jetë prezentë dhe te moshat e reja, respektivisht mbi 35 vjeç për meshkujt dhe mbi 40 vjeç për femrat. Në konceptin mjekësor konsiston në faktin e grumbullimit të yndyrave (triglicerideve) në forme depozitash brenda qelizës se mëlçisë. Në këto rrethana kur sasia e yndyrës në qelizën e mëlçisë (hepatociti) shtohet, atëherë kjo krijon probleme në funksionin e saj, dëmtime të strukturës deri në çarje të qelizës dhe në konceptin e përgjithshëm, çrregullime në funksionin e mëlçisë. Sakaq, duhet theksuar se mëlçia është një organ i rëndësishëm për funksionin e organizmit. Ka një sërë funksionesh, duke përmendur prodhimin dhe metabolizimin e një sërë elementeve proteinike, vitaminike, hormonale dhe elektrolitike. Gjithashtu, mëlçia luan një rol tepër të rëndësishëm në metabolizmin e yndyrave, proteinave dhe të sheqerit në gjak. Nisur nga roli kyç i mëlçisë, për sa i përket mirëfunksionimit të organizmit dhe si një organ me rëndësi jetike, dëmtimet e saj shkaktuar nga faktorë të ndryshëm, ku këtu përfshihet dhe dhjamosja (steatoza), janë tepër problematike dhe që kërkojnë vëmendje dhe kujdes serioz nga ana mjekësore.

Cilat janë shkaqet që çojnë në dhjamosjen e mëlçisë?

Shkaktaret e kësaj situate janë disa, të lidhura me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndër faktorët e brendshëm (endogjenë )mund të përmendim: gjendje, të cilat çojnë në çrregullime të metabolizmit ku futet diabeti, dyslipidemia (çrregullim i metabolizmit të yndyrave në organizëm), obeziteti, rënie e shpejtë në peshë, defektet e lindura në prodhimin e një sërë enzimash, të cilat marrin pjese në tretje dhe metabolizmin e yndyrave si dhe një grup sëmundjesh, të cilat prekin organe të tjera, por që japin efektin e tyre negativ dhe në mëlçi si patologji të tiroides, sëmundja inflamatore e zorrës, lipodistrofia e lindur etj. Ndërsa ndër faktorët e jashtëm (ekzogjenë), veçojmë përdorimin e madh të alkoolit (kalorazh tepër i lartë); abuzimin me ushqime me kalorazh të lartë dhe me përmbajtje yndyrore të rritur (kryesisht yndyrat me baze shtazore), ëmbëlsirat dhe lëngjet me përmbajtje të rritur të fruktozës; ushqimet e konservuara dhe ato të përpunuara në vaj; mosrespektimi sistematik i vakteve ditore, si dhe përdorimi i disa preparateve si kortizonikët, amiodaroni, estrogjenët etj.254

Si mund ta kuptojë dikush që vuan nga mëlçia e dhjamosur?

Çfarë simptomash paraqiten? Më tepër u kushtohet rëndësi disa shenjave klinike, të cilat dëshmojnë për prezence kronike të dhjamosjes së mëlçisë si dhimbje e lehtë në anën e djathtë nën brinjë, zonë ku pozicionohet mëlçia, lodhje, dobësi trupore, mungesë oreksi. Mund të shfaqen shenja në lëkurë, si zgjerim i lehtë i kapilarëve në ato që në i quajmë teleangioektazia. Zmadhimi i shpretkës, epistaksis (rrjedhje e gjakut nga hunda), njolla të zeza në trup, janë shenja me të rralla, por që kur janë prezente, flasin për një situatë më problematike. Duhet thënë se shpeshherë dhjamosja e mëlçisë konstatohet në ekzaminimet rutinë që kryejnë pacientët, si testet laboratorike dhe ekzaminimi ekografik. Në rastin e parë, mund të shihet një rritje e transaminazave, përkatë- sisht ALT, AST, rritja e fosfatazës alkalinë, rritje në serum e ferritinës. Ndërsa në ekografinë abdominale, vihet re zmadhim i mëlçisë (hepatomegali) dhe ndryshim karakteristik i strukturës se saj. Në rastet me të avancuara shihet edhe rritje e volumit të shpretkës dhe kalibrit të enëve të gjakut që hyjnë në mëlçi.

Si trajtohet dhe çfarë rreziqesh paraqet për organizmin?

Duke ditur rëndësinë e mëlçisë si organ jetik për njeriun, dëmtimet dhe sforcimet funksionale të saj (ku këtu futet dhe dhjamosja apo steatoza) duhen trajtuar me kujdes dhe seriozitet. E rëndësishme është dieta, ku vëmendje i kushtohet marrjes sa më të moderuar të kalorive në vlerat 500 deri 750 kcal, si dhe rënies në peshë 7 deri 10%; eliminimi nga dieta i yndyrave me bazë shtazore (acidet yndyrore me saturim të lartë); reduktimi i lëngjeve dhe shurupeve me përmbajtje të lartë të fruktozës. Po ashtu, sot po i kushtohet rëndësi marrjes së preparateve omega 3 si suplement ushqimor. Këshillohen gjithashtu konsumi i dy deri tri kafeve në ditë, pasi ndikon pozitivisht në uljen e riskut për fibrozën e mëlçisë; aktivitet fizik 30 deri 45 minuta në ditë, të paktën katër ditë të javës; moskonsumimi i alkoolit në sasi të madhe dhe sistematike; përdorimi sipas këshillës së mjekut të vitaminës E dhe C me efektet e tyre antioksidantë; përdorimi i mbrojtësve të qelizave të mëlçisë (citoprotektoret) grup medikamentesh, të cilat në bazë kanë silimarinën, element tepër i mirë në trajtimin e këtyre situatave; trajtimi i rregullt dhe mbajtja nën kontroll e diabetit për personat me nivel të lartë të sheqerit në gjak; mosabuzimi me substancat narkotike, si dhe kujdesi në marrjen e disa medikamenteve si estrogjenët, antiinflamatorët e të tjerë. Rastet e avancuara paraqesin risk në ecurinë e tyre kohore në raport me një mostrajtim dhe mospërkujdesje mjekësore, e cila mund të rezultojë dhe tepër serioze, duke nxjerrë deri jashtë funksionit mëlçinë me pasoja fatale për organizmin. Këtu përmendim dy situata vërtet problematike, siç është fibroza dhe cirroza hepatite. Fatmirësisht, sot përfundimi në këtë shkallë është tepër i rrallë për shkak të diagnostikimit dhe trajtimit të hershëm nga ana mjekësore, si me teste laboratorike, por dhe me ekzaminime instrumentale. Ndërkohë që marrja e masave paraprake, nisur nga ato që janë thënë me lart, krijon një stabilitet dhe një gjendje të mirë funksionale të mëlçisë, duke mos u bërë shkak për asnjë lloj risku patologjik.

Si ta përmirësojmë gjendjen e mëlçisë pa përdorur medikamente? Çfarë ushqimesh këshilloni për ta trajtuar atë?

Kryesisht ushqimet me sa më pak yndyrë. Reduktimi e mishit, kryesisht mishit të kuq, dhjamit, gjalpit (organik dhe atij industrial); reduktim i brumërave për shkak të përmbajtjes së lartë të sheqerit; reduktim i konsumit të frutave të detit; mënjanim i gatimeve të fërguara në vaj. Më i rëndësishëm për personat që konsumojnë alkool, është reduktimi i sasisë dhe kryesisht reduktimi i pijeve me përqendrim të lartë të alkoolit; mënjanimi i ushqimeve të konservuara dhe pijeve me përmbajtje të lartë të sheqerit. Më tepër rekomandohet konsumi i zarzavateve të përpunuara me pjekje, zierje ose avull, përdorimi i mishit të pulës, peshkut. Po ashtu, përdorimi i frutave rekomandohet, por jo në sasi të madhe pasi ato kanë përmbajtje të lartë të fruktozës (rekomandohet vetëm një frutë në dy vakte të ditës ose një gotë lëng frutash në ditë, jo më tepër).