Reumatolog Artur Zoto
Artriti reumatoid është një sëmundje kronike reumatizmale, ndër më të shpeshtat. Femrat dhe grupmosha 35-40 vjeç janë më të riksuar të preken nga kjo sëmundje. Mjeku reumatolog, Artur Zoto, shpjegon si shfaqet sëmundja, çfarë duhet bërë në rast se shfaqet dhe jep disa këshilla për personat që janë prekur nga artriti reumatoid:
Kush preket më shpesh nga artriti reumatoid?
Artriti reumatoid është sëmundja më e shpeshtë që haset ndër sëmundjet reumatizmale në popullatë. Kjo sëmundje prek më shpesh femrat sesa meshukujt me një raport të përafërt 3:1.
Ka grupmosha që preken më shpesh?
Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo moshë, duke filluar që nga fëmijët dhe deri tek moshat e vjetra, megjithatë është vënë re se më tepër shfaqet në grupmoshat 35-40 vjeç.
Nga se shkaktohet dhe si shfaqet kjo sëmundje?
Ka shumë hipoteza në lidhje me shkaktarët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, megjithatë deri më sot ato kanë mbetur të pa vërtetuara. Përsa i përket shenjave klinike që shoqërojnë sëmundjen, mund të thuhet se artriti reumatoid është një sëmundje që prek kyçet e njeriut (artikulacionet). Kështu kyçet më të prekura janë ato të duarve (më tipike), gjunjëve, supet, etj. Të sëmurët ankojnë për dhimbje të tyre, e cila zakonisht është simetrike, shfaqet me enjtje, si dhe ngrirje. Dhimbja është më e shprehur sidomos në orët e para të ditës, ku dhe pacientët kanë vështirësi në lëvizshëmrinë e artikulacioneve. Në disa raste shenjave të mësipërme mund t’u shtohet dhe temperatura, e cila arrin deri në 37-37.5 gradë celsis. Shenja të tjera mund të jenë dhe dobësia trupore, mungesa e oreksit, etj.
Çfarë ekzaminimesh duhen bërë në rastet kur dyshohet për artrit reumatoid?
Në këto raste pacientët ekzaminohen në bazë të disa analizave, të cilat janë specifike për artritin reumatoid si dhe radiografisë të kyçeve.
Si mjekohet kjo sëmundje dhe sa efektive është trajtimi?
Për mjekimin e artritit sot ekzsitojnë një gamë e gjerë medikamentesh, të cilat duhen përdorur vetem me rekomandimin e mjekut specialist. Gjithësesi duhet theksuar se artriti është një sëmundje kronike, dhe ilaçet e përmirësojnë atë deri në 70-80%.
Çfarë këshillash mund t’ju jepni pacientëve të prekur nga artriti reumatoid?
Pacientët me këtë diagnozë duhet të kenë parasysh që nuk duhet të rrinë në diell, sidomos gjatë stinës së verës, pasi në këtë mënyrë mund të ndikojnë në acarimin e smëundjes. Në ujin e detit mund të lahen, ndërsa banja e dielli dhe rëra e nxehtë ndikojnë për keq në klinikën e sëmundjes. Kjo duhet theksuar pasi me gjithë propagandën që bëjnë mjekët specialist në lidhje me këtë problem, në popull ekziston një mendim se për sëmundje reumatizmale, plazhi gjithmonë influencon për mirë, ndërkohë që në të vërtetë, si në rastin e artritit reumatoid, ndodh e kundërta, plasi acaron më shumë sëmundjen. Përsa i përket mënyrës së të ushqyerit, të sëmurët mund të hanë çdo lloj produkti ushqimorë, nuk ka kufizime dhe ushqime më të rekomandueshme.
Po llinxhat rekomandohen për këta të sëmurë?
Jo, ashtu si dhe banjat e diellit dhe rëra e nxehtë dhe linxhat nuk rekomandohen për këtë kontigjent të sëmurësh, sepse acaron klinikën e smëundjes.
SHENJAT
I sëmuri shfaq:
Dhimbje kyçesh, zakonisht simetrike
Enjtje kyçesh
Ngrirje kyçesh
Temperaturë deri në 37-37.5 gradë
dobësi trupore
mungesë oreksi