Prinder kujdes.Sëmundja e Diabetit nuk po kursen fëmijët nga Dr. Blenda Veliaj

Dr. Blenda Veliaj –

Sëmundja e Diabetit nuk po kursen fëmijët. Në vitet e fundit është konstatuar ulja e moshës së pacientëve të prekur nga 5-11 në 0-5 vjeç. Mjekët pediatër fajësojnë kequshqimin, si edhe theksojnë kujdesin që duhet të tregojnë prindërit dhe mjekët e familjes.

Diabeti nuk është më problem vetëm i moshave të mëdha. Sëmundja po haset gjithmonë e më shpesh në moshat e vogla, duke u kthyer në shqetësim serioz për prindërit. Mjekët endrokrinologë informojnë se në 5-vjeçarin e fundit ka shtim të numrit të fëmijëve që paraqiten në dyert e Pediatrisë me simptomat e Diabetit. Faktorët janë të ndryshëm. Midis tyre mund të dallojmë trashëgiminë, kequshqyerjen dhe mungesën e aktivitetit fizik. Nëse bëjmë një analizë me 5-vjeçarin e fundit, vihet re dyfishimi i rasteve që vuajnë nga kjo sëmundje. Ajo që është më shqetësuese është konstatimi se diabeti po sulmon fëmijët nën moshën 5 vjeç. Nëse vite më parë pikat e shpërthimit të diabetit kanë qenë tek fëmijët e moshës 5-7 vjeç dhe 11-13 vjeç, tani kjo moshë është ulur nën 5 vjeç. Trashëgimia është një predispozitë e fortë për shfaqjen e diabetit tek fëmijët e vegjël, por jo në të gjitha rastet.

Prindërit si përgjegjësit kryesorë në identifikimin dhe mbarëvajtjen e kontrollit të diabetit tek fëmijët e tyre.
Një prind duhet ta kuptojë kur diçka nuk shkon siç duhet me fëmijën e tij. Një karakteristikë që mund të tërheqë vëmendjen tek fëmijët në fillim të sëmundjes është urinimi natën në shtrat pa e kuptuar. Ky veprim i pavullnetshëm haset në fëmijë, të cilët kanë kohë që kanë ndërprerë urinimin në shtrat. Shenjat e tjera të sëmundjes janë ato klasike. Fëmijët me diabet pinë shumë ujë, madje edhe natën, si dhe të urinojnë shumë. Gjithashtu kanë edhe shtim të oreksit. Fëmija me diabet ha shumë dhe nuk ngopet, ndërkohë pesha e trupit bie. Këto shenja tregojnë që fëmija po humb shumë lëngje dhe duhet të rifitojë nivelin e insulinës në gjak. Në shumë vende të botës, 30 për qind e rasteve shkojnë në gjendje kronike dhe 70 për qind marrin mjekimin vetë në spital, pasi hemoglobina e glukozuar tregon që është në nivel shumë të lartë. Sëmundja e diabetit tek fëmijët është shumë më e rëndë sesa te i rrituri, për vetë faktin se fëmija i dëmtuar ka nevojë të mjekohet çdo ditë me insulinë dhe për gjithë jetën. Mos diagnostikimi në kohë i sëmundjes së diabetit te fëmijët mund t’i kushtojë jetën secilit prej tyre.

Kategoria më e prekur e diabetit
Përveçse trashëgimisë, ata që rrezikohen më shumë nga sëmundja e diabetit janë fëmijët mbi peshë. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit, rreth 10 për qind e fëmijëve, rezultojnë të jenë obezë si dhe janë kontigjent për t’u prekur sëmundja e Diabetit. Lidhja midis obezitetit dhe diabetit, shpjegohet me bazën gjenetike si edhe me kequshqyerjen. Diabeti te fëmijët shfaqet gjatë kohës së shtatzënisë. Fillimisht te nënat. Në 50 për qind të rasteve ndodh që nënat e transmetojnë edhe te fëmijët. Shkaktar tjetër i sëmundjes te fëmijët është edhe konsumimi i tepërt i ushqimeve me shumë yndyrna dhe i atyre me shumë kalori. Kështu, një fëmijë obez ka më tepër premisa që të preket nga diabeti, se një fëmijë normal. Kohët e fundit po vihet re diabet Tip 2 që shfaqet më tepër te fëmijët adoleshentë. Ky lloj diabeti e çon fëmijën drejtë e në marrjen e insulinës. Këtë fenomen fëmija e vuan gjatë gjithë jetës së tij, pasi diabeti vetëm sa mund të kurohet, por nuk shërohet përfundimisht. Diabeti tek fëmijët kapet shumë vonë dhe shumica e pacientëve vijnë te mjeku me diabet të avancuar me zhvillim të komplikacioneve serioze të syrit, veshkave, dëmtim të nervave dhe sëmundjeve të zemrës.