Prej nesër deri në 22 Mars hyn në fuqi ora policore, këto janë të gjitha ndryshimet

Maqedonia e Veriut do të ashpërsojë masat anti-Covid në kuadër të parandalimit të rritjes së mëtejshme të shifrave të Covid-19.

“Alsat” shkruan se nga dita e nesërme në Maqedoninë e Veriut do të vendoset ora policore. Vendi do të mbyllet nga ora 22:00 deri në orën 05:00 dhe do të zgjasë deri në datën 22 mars.

Në lidhje me shtrëngimin e masave ka folur edhe Kryeministri i vendit, Zoran Zaev ku ka thënë se ky vendim i marrë, ka rol parandalues për përhapjen e Covid, si dhe tha se për qytetarët që vijnë nga Afrika do të jetë e detyrueshme karantina për shkak të mutacioneve që vijnë nga andej.

“Sidoqoftë e kemi parasysh se në prill vijon agjërimi i Ramazanit dhe festa të tjera. Vendimi ka po ashtu edhe rol parandalues, që është rritja e shifrave. Po ashtu u miratua masa e karantinës së detyrueshme për qytetarët tanë që kthehen nga Afrika dhe u obligua Sekretariati i Përgjithshëm të sigurojë objekt për karantinë shtetërore për të huaj që vijnë nga Afrika,”tha Zaev.

Që nga fillimi i pandemisë deri tani në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 108,350 persona pozitiv, si dhe 3,228 të tjerë kanë humbur jetën.