Perse duhette hani nje Kivi?

I pasur me vitaminë C dhe fibra, kivi favorizon mbrojtjen natyrale të organizmit dhe mbron arteriet. Përdoret kundër impotencës dhe është ideal për sportistët dhe ata që duan të bien në peshë. Pra për të gjithë…
Kivi është një frut që vjen nga Kina, ku rritet në mënyrë të rastësishme. U eksportua në Zelandën e Re, në fillim të ‘800-ës, prej nga mori dhe emrin e veçantë, i ardhur nga një zog me pupla të gjata dhe të holla dhe sqep të gjatë, tipik i këtij vendi. Kivi ka efekt freskues, diuretik dhe pastrues. Pastaj, falë nivelit të lartë të vitaminës C që gjendet në të, favorizon mbrojtjen natyrale të organizmit dhe mbron arteriet.
Karakteristikat
Kivi është një frut i ndjeshëm ndaj të ftohtës dhe thatësirës, prandaj për tu rritur ka nevojë për ujë. Është i mbuluar nga një lëkurë e hollë, por e fortë, me push ngjyrë kafe. Në brendësi ka ngjyrë jeshile. Farat, të vogla dhe të zeza, vijnë në formë rrethore deri në brendësi të frutit. Periudha e vjeljes fillon në fund të tetorit dhe vazhdon gjatë nëntorit dhe pjesës së parë të muajit dhjetor. Falë karakteristikave të tij mund të ruhet në frigorifer deri gjashtë muaj pas vjeljes.
Pse duhet ta hamë
Për shumë arsye. Për meshkujt, psh, sipas një studimi të fundit, është vërtetuar se ky frut parandalon impotencën. Në fakt, kivi përmban në sasi të mëdha aminoacidin argininë. Arginina është një vasodilator që ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe që përdoret gjithashtu edhe në kurimin e impotencës. Përveç kësaj, kivi përmban ksantofil, një substancë që ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të prostatës. Bën mirë edhe për sportistët sepse sporti ka nevojë për energji. Kivi mund të ndihmojë në rikuperimin e shpejtë të energjive dhe ekuilibrit në organizëm, duke na dhënë mundësinë të përballojmë sforcot për një kohë të gjatë. Të mos harrojmë ndërkohë se kivi është i çmuar edhe për zemrën. Stili modern i jetës, i shoqëruar me një ushqyerje të disekuilibruar, mund të shkaktojë probleme në zemër dhe qarkullimin e gjakut, si tek të moshuarit ashtu edhe tek të rinjtë. Shkaktari kryesor i këtyre problemeve është kolesteroli në gjak që mund të provokojë aterosklerozën. Një ushqyerje e shëndetshme, e varfër me yndyrna të ngopura dhe e pasur me fruta dhe perime ndihmojnë në kontrollin natyral të nivelit të kolesterolit. Kivi ndihmon sepse përmban pektinë, një substancë që ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak.
I shkëlqyer edhe për të rënë në peshë sepse kivi përmban pak kalori dhe është i pasur me fibra që ndihmojnë tretjen e karbohidrateve dhe rregullon funksionmin e zorrëve.
A është i pasur me vitamina dhe kripra minerale?
Absolutisht po! Kivit përmbajnë në mënyrë të veçantë sasi të mëdha të vitaminës C. Një kokërr kivi, prej 100 gr, përmban të paktën 166 për qind të sasisë ditore të rekomanduar (dyfishin e saj e përmban portokalli!). Kjo vitaminë është shumë e brishtë dhe e ndjeshme nga kontakti me ajrin dhe dritën, por kivi, me lëkurën e fortë që ka dhe ngjyrën jeshile së brendshmi, është një mbrojtës natyral i vitaminës C ndaj agjentëve të jashtëm. Përveç kësaj, kivi është edhe një burimi i rrallë i vitaminës E: një kokër prej 100 gr furnizon me më shumë se 1/4 e sasisë së përditshme të rekomanduar. Së bashku, këto vitamina janë antioksidantë të fortë që ndihmojnë në parandalimin e ateriosklerozës. Kivi është gjithashtu një burimi mirë magnezi. Në fund, kivi është një zgjedhje shumë e mirë edhe për femrat sepse përmban acid folik dhe për të moshuarit sepse stimulon aftësitë antioksidante, falë flavonoideve që ka në përbërje. Le të mos harrojmë se përmban edhe inositol që ndihmon në luftën kundër depresionit dhe ka efekt pozitiv tek ata që trajtohen nga diabeti. Me pak fjalë, si frut, kivi është ushqyes, jep energji dhe është një alternativë e mirë për tu konsumuar mes vakteve.
Nuk këshillohet për…
Ka një kategori personash që nuk duhet ta konsumojnë kivin. Psh kush vuan nga sëmundja Crohn (inflamacion kronik i kanalit ushqyes, nga goja deri në fund të zorrës së trashë), nga koliti ulçerativ ose nga koliti, për shkak të farave duhet ta përbajnë veten. Gjithashtu, kush vuan nga patologji që u imponon dieta të privuara nga fibrat, nuk duhet ta konsumojnë.
Si ta zgjedhim
Si fillim duhet të keni të qartë se jo të gjitha llojet e kivit janë të njëjta dhe se diferenca mes tyre varet nga prejardhja. Pjesa më e madhe e atyre që gjenden në treg janë italianë, por ka edhe të tjerë që vijnë nga Kili dhe nga Zelanda e Re. Kivit që vijnë nga Kili janë të cilësisë së mirë, pavarësisht se ata që këshillohen më shumë janë kivit që shoqërohen me etiketën “chiquita” (të vegjël). Por kivit më cilësorë dhe më të mirët nga pikëpamja organike, janë ata që vijnë nga Zelanda e Re. Si të dallosh një kivi të mirë? Si fillim duhet të ketë lëkurën e plotë dhe pa shenja të veçanta, formë të rregullt dhe, më e mira është të mos jetë as shumë i pjekur, por as shumë i butë.