Pasojat që mund të sjellë tensioni i ulët dhe shenjat klinike nga mjekja Manjola Liko

Nuk është më pak i rrezikshëm sesa hipertensioni, kur bëhet fjalë për pasojat që mund të sjellë. Tensioni i ulët nuk paraqet rrezik te personat e shëndetshëm, por te pacientët kardiakë vlerat e ulëta të presionit arterial shoqërohen me një mori komplikimesh. Sipas mjekes kardiologe Manjola Liko, një problem akut që mund të paraqesë është rënia e menjëhershme, pra gjendje të fikëti nga presioni i ulët i gjakut. Pasojë tjetër është edhe ishemia kardiake dhe ajo cerebrale, të cilat janë edhe më problematike.

“Ishemia ndodh atëherë kur enët e gjakut nuk arrijnë të furnizohen me gjak dhe kjo bën që të mos dërgohet mjaftueshëm gjak në zemër dhe në tru”, shprehet doktoresha. Pacientët kardiakë, thekson Liko shfaqin probleme kryesisht gjatë periudhës së verës, duke qenë se përdorin medikamente që shërbejnë për të mbajtur stabël presionin e lartë të gjakut. Gjatë sezonit veror rritet po ashtu edhe përqendrimi ilaçeve në gjak.

Kjo rritje vjen si pasojë e konsumimit në sasi të ulët të lëngjeve, të cilat të gjitha bashkë çojnë në hipotension. Në intervistën dhënë për gazetën, doktoresha ndalet edhe te shenjat që shfaq tensioni i ulët, si edhe hapat që duhet të ndjekim për ta mbajtur nën kontroll. “Nëse matet tensioni dhe rezulton i ulët për ta shmangur në ditët në vijim duhet që të konsumohen sa më shumë lëngje, të shtohet pak kripë në ushqim. Konsumi i frutave dhe perimeve është po ashtu i rëndësishëm, pasi bëjnë që të ketë sa më shumë kripëra në organizëm, përkatësisht kalium, magnezium, që janë me rëndësi për sistemin kardiovaskular për një mbarëvajtje më të mirë të qarkullimit të gjakut”, këshillon mjekja.

Dëgjojmë shpesh të flitet për hipertensionin dhe shumë pak për tensionin e ulët. Çfarë është dhe nga se shkaktohet?

Tensioni i ulët është rënia e vlerave të presionit arterial në 90 me 60, ose akoma edhe më poshtë. Kjo mund të jetë fiziologjike. Ka shumë njerëz që e kanë vetë tensionin e ulët dhe në raste nuk paraqet ndonjë problem shqetësues, por ka raste kur mund të jetë edhe patologjike. Këtu përfshihen pacientët që trajtohen me medikamente të tjera, qoftë pacientët kardiakë ose ata jokardiakë. Pacientët kardiakë shfaqin probleme kryesisht gjatë periudhës së verës, duke qenë se përdorin medikamente të cilat shërbejnë për të mbajtur stabël apo të qëndrueshëm presionin e lartë të gjakut. Gjatë sezonit veror ndodh që të rritet përqendrimi ilaçeve në gjak. Kjo vjen si pasojë e konsumimit në sasi të ulët të lëngjeve. Rritja e nivelit të ilaçeve çon në shfaqjen e hipotensionit, ndaj këshillohet që të gjithë pacientët të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe produkte që nuk japin apo nuk shkaktojnë dehidrim. Po ashtu, duhet që në mënyrë kategorike të shmangen pijet alkoolike, apo produkte që kanë në përmbajtje kripë. Në pjesën patologjike përfshihet edhe hipotensioni ortostatik. Ka pacientë të cilët sapo çohen në mëngjes, ose kur bëjnë pushimin e drekës, shfaqin luhatje të tensionit. Kjo ndodh kur ata ndryshojnë pozicionin, pra janë shtrirë dhe çohen menjëherë nga shtrati. Kjo sjell ndryshim të tensionit me 20 mm të vlerës së presionit arterial dhe mund të konstatohet lehtësisht, pasi të matet tensioni në të dyja pozicionet dhe të vihet re ndryshimi.

Cilat janë shenjat klinike, me të cilat manifestohet?

Shenjat klinike të cilat manifeston janë përgjithësisht: veshja e pamjes, turbullimi në shikim deri edhe te humbja e vetëdijes. Provokon po ashtu ndjesinë e përzierjes, këputjes dhe mbulimit me djersë. Shpeshherë mund të shkaktojë edhe ndjenjë shtrëngimi në gjoks, prej rënies së presionit të gjakut. Sikundër rritja e presionit të gjakut, edhe rënia është po aq e rrezikshme, pasi mund të jap një gjendje sinkopale, pra të humbjes së vetëdijes. Truri nuk furnizohet mjaftueshëm me gjak, duke rritur riskun për ishemi cerebrale apo kardiake. Ka predispozitë për një atak kardiak, nëse është presioni i ulët te pacientët që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Kur duhet të nisim të shqetësohemi?

Pra kur bëhet serioze rënia e presionit të gjakut? Shenjat e përmendura më sipër janë treguesit e parë që na orientojnë drejt hipotensionit. Të gjitha ato simptoma janë kambanë alarmi për t’u drejtuar te mjeku i familjes për një konsultë. Nëse matet tensioni dhe rezulton i ulët, për ta shmangur në ditët në vijim duhet që të konsumohen sa më shumë lëngje, të shtohet pak kripë në ushqim. Konsumi i frutave dhe perimeve është po ashtu i rëndësishëm, pasi bëjnë që të ketë sa më shumë kripëra në organizëm, përkatësisht kalium, magnezium, që janë me rëndësi për sistemin kardiovaskular, duke siguruar një mbarëvajtje më të mirë të qarkullimit të gjakut. Përdorimi i antioksidantëve në ushqim dhe marrja e vakteve të plota e të rregullta, duke mos qëndruar gjatë pa ngrënë, jep vlera më të stabilizuara të presionit arterial.

Në momentin që ke këto shenja që ju veçuat, pra veshje e pamjes, këputje, djersë etj., çfarë rekomandohet që të bëhet?

Këshilla e parë që duhet të mbahet në konsideratë është qëndrimi shtrirë. Të mbash gjendjen e qetësisë stabël, sepse alarmimi bën efektin e kundërt duke rritur gjendjen e ankthit. Takikardia bën që ta kesh akoma më të ulët tensionin, pasi nuk arrin zemra as të mbushet dhe as ta zbrazë gjakun. Ndaj edhe qëndrimi shtrirë me kokën pak më poshtë dhe këmbët pak më lartë ndihmon në stabilizimin e gjendjes. Po ashtu, siç edhe e përmenda pak më sipër, rekomandohet përdorimi sa më shumë i lëngjeve, shtimi i kripës në ushqimet që konsumojmë.

Kjo vlen edhe për diabetikët?

Po, pasi kur them që të konsumohen sa më shumë, lëngje i referohem konsumit sa më shumë të ujit, dhallit dhe jo domosdoshmërisht lëngjeve që përmbajnë sheqer.

Është e rrezikshme nëse nuk vihen re apo neglizhohen këto shenja?

Rënia e presionit arterial shoqërohet përgjithësisht me një gjendje ankthi, e cila nuk kalon pa u vënë re. Megjithatë, ka njerëz që e kanë fiziologjike. Te këta individë nuk paraqet asnjë lloj problemi. Madje njerëzit me presion të ulët jetojnë më gjatë sepse qarkullon lirshëm gjaku.

A ka një predispozitë moshore? Kryesisht moshat e reja, te adoleshentët është prirja që të shfaqet presioni fiziologjik i gjakut, duke qenë se nuk ushtrojnë mjaftueshëm aktivitete fizike. Ndërsa në moshat madhore, prirja për hipotension është e lidhur me marrjen e medikamenteve të caktuara.

Është problem te moshat e treta hipotensioni?

Njerëzit e shëndetshëm, vetëm nëse ekspozohen gjatë në diell dhe nuk kanë konsumuar ushqim gjatë vakteve të ditës mund të kenë predispozitë për të bërë hipotension. Ndërsa pacientët që vuajnë nga sëmundje të tjera, janë më të predispozuar në raport me individët që nuk kanë apo nuk shfaqin probleme me shëndetin.

Cilat janë këto sëmundje bashkëshoqëruese dhe që mund të bëhen shkak për hipotension?

Veç sëmundjeve kardiake, janë edhe sëmundjet e sistemit nervor. Pra ata që përdorin antidepresivë, antipsikotikët. Bëhet fjalë pra për një grup të gjerë farmaceutikësh që provokojnë uljen e vlerave të presionit arterial.

U ndalëm te shenjat pak më sipër, u njohëm po ashtu me predispozitën moshore, por cilat janë komplikimet që mund të sjellë?

Një problem akut që mund të paraqesë është rënia e menjëhershme, pra gjendje sinkopale, gjendje të fikëti nga presioni i ulët i gjakut. Pasoja tjetër është edhe ishemia kardiake dhe ajo cerebrale, të cilat janë edhe më problematike. Ishemia ndodh atëherë kur enët e gjakut nuk arrijnë të furnizohen me gjak dhe kjo bën që të mos dërgohet mjaftueshëm gjak në zemër dhe në tru.

Nisur nga komplikimet, cili është më i rrezikshëm: tensioni i lartë apo tensioni i ulët? A ka një vlerësim për këtë?

Tensioni i lartë paraqet një rrezik më të lartë, pasi pa një konsulencë mjekësore e ke të pamundur që të vish në stabilitet. Ndërsa presioni i ulët, edhe në kushte shtëpie, mund të përmirësohet. Gjithsesi, duhet thënë se gjithçka varet nga kontingjenti në të cilin shfaqet hipotensioni. Por në përgjithësi, tek individët e shëndoshë rritja është më e rrezikshme sesa rënia. Ndërsa tek individët e sëmurë me hipotension, duhen parë sëmundjet që kanë për të thënë sesa i rrezikuar është ky individ.

Ka persona që kanë luhatje tensioni, si duhet ta menaxhojnë? Luhatja e tensionit e ka një shkak pas, pra nuk vjen papritur e pa kujtuar. Mund të jetë, p. sh., një nivel i lartë i yndyrës në gjak, e cila zbulohet vetëm duke bërë një analizë yndyre. Një nivel i lartë jep kolpo të tensionit. Normalisht në këto raste duhet një këshillë mjekësore për të bërë një bilanc të analizave për të parë se në çfarë gjendjeje është pacienti.

Është më i vështirë mjekimi në këto raste? Mjekohet shkaku, për të evituar pasojën. Si trajtohet?

A janë më të vështira rastet kur kemi të bëjmë edhe me sëmundje bashkëshoqëruese? Pa diskutim, ata të cilët kanë sëmundje bashkëshoqëruese duhet që të kontaktojnë mjekun përkatës për të bërë një kontroll, duke nisur nga bilanci i analizave të gjakut dhe deri në medikamentet që marrin. Për pacientët kardiakë që paraqiten me një presion arterial të ulët, ajo që bëjmë është ulim dozën e ilaçeve që marrin. Po ashtu, shikohen problemet shoqëruese, pra problemet që ka për të ndërhyrë.