Parashqevi Simaku tregon te verteten duke thene se sa vite ka ajo nuk ka fjetur ne krevat

Mbrëmjen e djeshme, Elvira Tata, një grua shqiptare që aktualisht jeton në Nju Jork, ka rrëfyer historinë e trishtë të ikonës së muzikës shqiptare Parashqevi Simaku.

“Dhjetë vjet rresht pa fjetur në krevat, por jashtë, në mjedise të sajuara”. Kjo është historia e dhimbshme e yllit të këngës shqiptare, Parashqevi Simaku.

Në një intervistë për Tv Klan, Tata tregoi detaje nga takimet dhe bisedat me Parashqevi Simakun.

Ajo pohoi se; këngëtarja e famshme qëndronte duke fjetur mbi dy valixhe diku në rrugët e Nju Jorkut.

“Zbrita poshtë dhe nuk e gjeta dhe u mërzita shumë që nuk e gjeta. U ktheva. Ajo kishte qenë mbi sytë e mi, por shtrirë mbi 2 valixhe dhe kishte futur kokën brenda dhe po flinte. Aty e kam njohur vetëm nga shalli që kishte në qafë”.

“Nuk e zgjova nga gjumi. Aty u tmerrova që e pashë të flinte mbi valixhe. Vjen një polic dhe i bie valixheve të saj me shkelma. Dhe polici i tha “çohu”. I thashë mos e prek me dorë, është kushërira ime. Polici kishte vite që e shihte dhe e dinte se kush ishte. Unë i thashë “do të vish me mua”. E kam çuar në një restorant aty afër dhe shkova të porosisja ushqimin. Kërkoi mish dhe tha “se kam mall nga Shqipëria”. Herë më fliste shqip e herë anglisht. Nuk pranonte që jetonte aty poshtë, aq krenare. Unë e kuptova që jetonte si e pastrehë”.

Tata tregoi se e mori që aty dhe e strehoi provizorisht në një dhomë hoteli luksoz në Manhattan.

“I thamë do të shkojmë të marrim ushqime ti do të bësh dush deri sa të vijmë ne. Do të ikim të hamë një darkë dhe do t’ia vendosim emrin ‘ditëlindja e Parashqevisë’. Unë s’kam bërë kurrë ditëlindje tha dhe iu mbushën sytë me lot”.

Elvira tregoi më tej, se u largua për 3-4 orë për të bërë blerje dhe kur u kthye e gjeti në dush dhe Parashqevia i kishte thënë: “Më falni që ndjeva gjatë në dush, dakord ikim për darkë, por pastaj më lini këtu të fle, të rritet disa ditë sepse kam dhjetë vjet që nuk fle në një krevat”.

“Më leni këtu dhe mos më nxirrni nga hoteli për disa ditë, se nuk kam fjetur në krevat prej 10 vitesh”, citoi Tata pohimin e Parashqevisë.

“Që prej 10 vjetësh fle ku mundet, nëpër rrugë, stacione treni, në zona të ndryshme, ku shumë shqiptarë e kanë identifikuar”.

“Disa prej tyre dhe miq të saj herë pas here e takonin për t’i dhuruar diçka. Ajo e kishte marrë atë vendim si një zgjedhje të sajën, jo si pamundësi.

Shumë njerëz kishin shkuar për t’ja ofruar ndihmën dhe ajo e kishte refuzuar. Ajo kishte vendosur ta bënte këtë jetë në një moment traume për arsye të humbjes së fëmijës.

E vetmja fjalë që ju ka përsëritur të gjithëve është ‘po pres të më sjellin djalin’. Historia e saj është e një vendimi që kishte marrë në jetën e saj”, tha Blendi Fevziu.