Duke nisur nga dita e nesërme, në Shqipëri do të hyjnë në fuqi masa të reja kufizuese ndaj Covid të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve. Të gjithë punonjësit e Administratës Publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare do të duhet të paraqesin një certifikatë vaksinimi. “Ju kujtoj që në datën 4 janar të gjithë punonjësit e administratës publike, të supermarketeve dhe qendrave tregtare si një kategori që përbëjnë rrezik për të tjerët do të paraqesin dokumentin e vaksinimit ose certifikatat e shërimit me vlefshmëri deri në 6 muaj pas ditës së shërbimit. Kjo certifikatë ka filluar të gjenerohet edhe në sistemin e-albania”- tha kryetarja e Komitetit Mira Rakacolli.
Masat që do të jenë në fuqi:
Ora policore do vijojë e njëjtë 23:00 – 06:00. Për qytetarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë, nga të gjitha pikat kufitare apo ata që kalojnë tranzit, kërkohet të dorëzojnë një nga dokumentet e mëposhtme:
1. Pasaportë vaksinimi, ku data e vaksinës së fundit të ketë të paktën dy javë e aplikuar nga data e hyrjes në kufi.
2. Test PCR, të kryer brenda 72 orëve ose testin e shpejtë antigenic brenda 48 orëve të hyrjes në kufi.
3. Provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov-2 të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
4. Qytetarët rezidentë të Republikës së Shqipërisë dhe që nuk kanë asnjë nga dokumentet e përmendura në pikën 1, duhet të vetë izolohen për një periudhë 10 ditore dhe të informojnë autoritetet shëndetësore për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Në ambiente të mbyllura vijon të mbetet në fuqi urdhri për vendosjen e maskave si dhe lejimi i grumbullimit deri në 50 persona.