Numri i pacientëve të konfirmuar me COVID-19 kapërceu shifrën 400 gjatë ditës së shtunë, niveli më i lartë që nga marsi i kaluar.
Shqipëria shënoi 410 raste të reja me COVID-19 gjatë ditës së shtunë ndërsa dy pacientë humbën jetën, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Numri mesatar i rasteve të reja gjatë shtatë ditëve të fundit ishte 260, me një rritje prej 180% në krahasim me një javë më parë. Me një ritëm të tillë rritjeje, Shqipëria mund të shënojë një rekord të ri negativ brenda dy javëve të ardhshme, nëse nuk merren masa parandaluese.
Hera e fundit kur Shqipëria shënoi një numër kaq të lartë të infektuarish ditorë ishte 31 marsi. Numri i të prekurve është gjithsesi ende larg pikës kulmore të shënuar më 9 shkurt me 1,239 raste brenda 24 orëve. Raste të reja janë shënuar në 34 nga 61 bashkitë e vendit, gjë që sugjeron për shtrirje të gjerë gjeografike.
Shqipëria ka lëshuar pothuajse të gjitha kufizimet e vendosura më parë ndërsa disa kufizime që nominalisht vijojnë të jenë në fuqi, të tilla si mbajtja e maskës nëpër ambiente të mbyllura apo qendra tregtare, dukshëm nuk po zbatohen fare.