Ndahet nga jeta nga sëmundja e rëndë mësuesi Pëllumb Bodeci

Pëllumb Bodeci, një ish-mësues me 37 vite eksperiencë në Memaliaj, ka humbur jetën për shkak të kancerit. 64-vjeçari luftonte prej gjashtë muajsh me këtë betejë, të cilën nuk arriti ta fitonte.

Pellumbi dhe bashkëshortja e tij ishin shpërngulur në SHBA para dy vjetësh për të jetuar pranë vajzës së tyre, Ina, dhe familjes së saj. Por, pas diagnozës së rëndë me dy lloje kanceri në muajin maj të këtij viti, jeta e tyre u trondit dhe përpjekjet për shërim, përfshirë terapi të ndryshme, nuk mundën të ndihmojnë.

Përveç humbjes së njeriut të dashur, familja po përballet edhe me sfida financiare të mëdha, për shkak të faturave të larta mjekësore, shpenzimeve të funeralit dhe transportit të trupit për ta varrosur në qytetin e lindjes, Memaliaj. Bashkëshortja e Pellumbit nuk ka mundur të punojë për mbi 6 muaj për të qëndruar pranë tij gjatë gjithë periudhës së sëmundjes, Të njëjtën gjë ka bërë edhe vajza e tyre Ina.

Familja Bodeci kërkon ndihmën e komunitetit për të mbështetur këtë periudhë të vështirë dhe për të lehtësuar ngarkesën financiare. Cdo kontribut do të ishte shumë i vlefshëm për të ndihmuar këtë familje të kalojë këtë moment të vështirë.