Ndahet nga jeta diten e sotme doktor Fatmir Dabulla

Një lajm i trishtë njoftohet mëngjesin e sotëm kur një nga doktorët më të dashur e të respektuar të qytetit të Lushnjes, Fatmir Dabulla, ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

Doktor Mili, siç i thërrisnin lushnjarët dhe jo vetëm, për vite me radhë ka kontribuar në spitalin e lushnjes i specializuar për sëmundjet e veshkave. Në duart e tij kanë kaluar me mijëra pacientë dhe doktori asnjëherë nuk i kthente mbrapsh, por gjente kohë ti shërbente të gjithëve me profesionalizëm e përkushtim. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore pse Doktor Mili ishte i dashur në komunitetin lushnjar dhe jo vetëm.

Një mjek i papërtueshëm e konsideronte komuniteti lushnjar, një doktor që doli në pension në vitet 2020. Në spitalin e Lushnjes “Isan Çabej”, doktor Mili ka vendin e vet të shënuar për shkak të profesionalizmit.

Ai do ti mungojë familjes së tij, dhe dy djemve, njëri prej të cilëve është një figurë shumë e dashur për sportdashësit, ish-futbollisti Rezart Dabulla; si dhe djalit Idlir Dabulla, një prej sipërmarrësve më në zë në qytetin e Lushnjes. Por edhe ish-kolegëve të tij të spitalit dhe komunitetit të gjerë lushnjar. Redaksia Newsbomb.al bashkohet me ngushëllimet e qytetarëve për ndarjen nga jeta të doktor Milit.

Fatmir Ferrik Dabulla lindur më 29.04.1950 në Durrës. Përfundoi studimet e Larta, dega Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1973 dhe specializimet për: mjek i “Sëmundjeve të brendshme terapëft” në vitin 1982 dhe kualifikuar për “Nefrologji” në vitin 1988 pranë Universitetit të Tiranës.

Mjeku ka filluar punë për herë të parë në vitin 1973 pranë Spitalit Lushnje si mjek i përgjithshëm. Në vitet 1975-1981 ka punuar si mjek i përgjithshëm në zonën e Ballagatit. Në vitet 1981-1983 ka punuar pranë Poliklinikës së Specialiteteve në qytetin e Lushnjes.

Nga viti 1983 deri në vitin 2015 ka punuar pranë Spitalit Lushnje, në shërbimin e sëmundjeve të brendshme si mjek Nefrolog, ku edhe doli në pension.

Gjatë kësaj periudhe, ka qenë edhe Shef i Shërbimit të Urgjencës Mjekësore për 5 vjet me radhë, ndërkohë për periudhën 1989-1990 ka qenë Shef i Repartit të Patologjisë. Nga viti 2002 dhe deri në daljen në pension ka kryer detyrën e Shefit të Shërbimit të Sëmundjeve të Brendshme.