Marramendja është një simptomë paralajmëruese, “këmbanë alarmi” se diçka nuk po shkon ashtu siç duhet në trupin tuaj. Pas kësaj gjendjeje, mund të qëndrojnë disa sëmundje të tilla si migrena, anemia, tumoret e kokës, infeksionet e veshit etj., ndaj është shumë e rëndësishme që të mos neglizhohet.
Mjeku ORL Bledi Nini pohon se jo në çdo rast kur përballemi me marrje mendsh, ka vend për panik. Shqetësimet, sipas tij, duhet të nisin atëherë kur kjo shfaqje klinike përsëritet disa herë në harkun e 24 orëve dhe shoqërohet edhe me simptoma të tjera si të vjella ose ndjesia e të vjellit, zhurmë në vesh dhe turbullime të shikimit. Duke qenë se nuk ka shkaqe të përcaktuara, marramendja me origjinë nga veshi (vertigo) është e vështirë, për të mos thënë e pamundur të parandalohet.
“Duke qenë se shkaktarët nuk njihen, mundësia për ta parandaluar nuk ekziston. Mund të flitet për masa që të jemi të kujdesshëm, si në rastin e Morbus Menier, e cila është një patologji kronike. Masa të tilla konsistojnë në evitimin e lartësive dhe kujdes gjatë ngarjes së makinës. Në MM vertigot fillojnë në mënyrë të papritur dhe të befasishme dhe mund të bëhen shkak edhe për aksidente në situatat që u përmendën më sipër”, thekson mjeku ORL, Bledi Nini, i cili na njeh edhe me metodat e trajtimit që aplikohen.
Pothuajse gjithsecilit prej nesh, të paktën një herë, na ka ndodhur të përjetojmë marramendje. Megjithatë, jo në çdo rast ka vend për shqetësim. Sipas jush doktor, kur duhet ta shikojmë me seriozitet këtë gjendje dhe të drejtohemi te mjeku për trajtim të specializuar? Marramendja është një simptomë, e cila mund të reflektojë probleme, që mund të lidhen me vuajtjen e një ose disa organeve në trupin e njeriut. Nëse marrjet e mendve zgjasin disa minuta, përsëriten shpesh në harkun kohor të 24 orëve dhe shoqërohen me simptoma të tjera si të vjella ose ndjesia e të vjellit, zhurmë në vesh, turbullime të shikimit, është mirë që të mos neglizhohen, por të drejtohemi sa më shpejt te mjeku.
Në çdo patologji, listohen një sërë shkak tarësh dhe faktorësh që qëndrojnë pas, në rastin e marramendjes cilët janë? Marramendja është një simptomë, e cila lidhet me një sërë sëmundjesh, por në rastin kur identifikohet me origjinë nga veshi ose si i quajmë ndryshe vertigot me origjinë periferike, ato mund të ndahen në: vertigo pozicionale paroksistike beninje (VPPB), vertigo nga neuritis vestibular (inflamacioni i nervit vestibular) dhe vertigo të Morbus Menier( MM). Në rastin e VPPB dhe të Morbus Menier shkaktarët nuk dihen, pra, janë të panjohur. Ekzistojnë teori të ndryshme mbi shkaktarët, por ende nuk është një shkak i vetëm i pranuar. Në rastin e Nuritit Vestibular, si shkaktar pranohet të jetë inflamacioni i nervit vestibular nga shkaktarë viralë ose bakterialë.
Çfarë shqetësimesh manifestojnë pacientët? Nga shqetësimet që pacientët shfaqin, marrja e mendve ose vertigo është simptoma që i shoqëron gjithnjë këto patologji. Ajo mund të jetë e vetme ose të shoqërohet me simptoma të tjera si nauze, të vjella, humbje e përkohshme ose e përhershme e dëgjimit, zhurmë në vesh.
Sa u takon moshave, më të rriskuar cilët janë? Për sa i përket moshës, është një simptomë që shfaqet pothuajse gjithmonë tek adultët nëse është me origjinë periferike (veshi). Nëse shfaqet te fëmijët, duhet të na bëjë vigjilentë dhe duhet të përjashtojmë patjetër një shkak qendror (truri).
A mund të parandalohet? Cilat janë masat paraprake që duhen ndërmarrë? Vertigo është një shfaqje klinike, e cila vështirë të parandalohet. Si në rastin kur është me origjinë periferike, ashtu dhe kur është me origjinë qendrore. Duke qenë se shkaktarët nuk njihen, mundësia për ta parandaluar nuk ekziston. Mund të flitet për masa që të jemi të kujdesshëm si në rastin e Morbus Menier, e cila është një patologji kronike. Masa të tilla konsistojnë në evitimin e lartësive dhe kujdes gjatë ngarjes së makinës. Në MM vertigot fillojnë në mënyrë të papritur dhe të befasishme dhe mund të bëhen shkak edhe për aksidente në situatat që u përmendën më sipër.
Së fundmi, metodat e trajtimit që aplikohen? Metodat e trajtimit përfshijnë kombinime medikamentoze ose procedura invazive mikrokirurgjikale. Përdorimi i solucioneve hiperosmotike, si Manitol 20%, Glukozë 5-40% i kombinuar me kortikosteroide dhe betahistine, është një kombinim i vlefshëm për trajtimin e vertigove me natyrë periferike (veshi i brendshëm). Procedurat mikrokirugjikale ngelen një zgjidhje ekstreme për rastet kur kombinimet medikamentoze dështojnë dhe pacientët vihen shpeshherë në situata tejet të vështira si pasojë e vertigove rebele.
SËMUNDJET QË SHKAKTOJNË MARRAMENDJE
Marramendja e cila përsëritet disa herë gjatë ditës dhe që shoqërohet me nauze apo të vjella mund të ndikojë në jetën sociale të çdo individi. Sipas mjekëve, shkaqet e zakonshme të marramendjes përfshijnë presionin e ulët të gjakut, i cili mund të trajtohet në mënyrë efektive përmes ilaçeve të përshkruara dhe ndryshimeve në stilin e jeteës. Dehidrimi, një fajtor tjetër, zakonisht mund të zgjidhet duke iu sugjeruar njerëzve të pijnë të paktën dy litra ujë në ditë. Për shkaqe të tjera që mund ta kenë origjinën nga infeksionet e veshit, ateherë duhet të drejtoheni tek mjeku për trajtim të specializuar.
PRESIONI I ULËT I GJAKUT
E njohur ndryshe si hipotension, zakonisht diagnostikohet kur bie nën 90/60 mmHg. Mund të jetë e trashëgueshme, por gjithashtu ndikohet nga faktorë të jashtëm.
Shenjat klinike të cilat manifeston janë përgjithësisht: veshja e pamjes, turbullimi në shikim deri edhe tek humbja e vetëdijes. Provokon po ashtu ndjesinë e përzirjes, këputjes dhe mbulimit me djersë. Shpeshherë mund të shkaktojë edhe ndjenjë shtrëngimi në gjoks, prej rënies së presionit të gjakut.
DEHIDRATIMI
Përveçse është shkaku i presionit të ulët të gjakut, dehidrimi në vetvete mund të jetë përgjegjës për ndjenjat e marramendjes dhe ndjeshmërisë.Dehidrimi mund të ndodhë si rezultat diabetit, diarresë, vjelljes, konsumimit të alkoolit ose stërvitjes për disa orë me radhë. Shenjat e zakonshme përfshijnë etjen, lodhjen,, lëkurën e thatë, dhimbjen e kokës, frymëmarrjen e shpejtë, mungesën e energjisë, konfuzionin, nervozizmin dhe madje dhe zbehjen.
INFEKSIONET E VESHIT
Vertigo është një problem specifik i veshit të brendshëm që shkakton periudha të shkurtra të marramendjes kur lëvizin kokën, shtrihen, kthehen ose ngrihen. Kjo gjendje mund të shoqërohet me të përziera, të vjella ose lëvizje anormale të syrit.
STRESI DHE ANKTH
Marramendja mund të shkaktohet nga situata të vështira dhe, në raste më serioze, mund të jetë simptomë e ndjesisë së ankthit dhe frikës.
MIGRENA
Marramendja shpesh mund të jetë një sinjal i migrenës. Zakonisht është e kombinuar me dëmtime shikimi, nauze dhe nganjëherë dhimbje koke.