Italia do të njoftojë së shpejti për heqje të kufizimeve për koronavirus, ka thënë të mërkurën kryeministri italian, Mario Draghi, teksa numri i rasteve të infektimit ka nisur të ulet.
Shumë kufizime, përfshirë ato në transport dhe restorante tashmë janë lehtësuar për të vaksinuarit, derisa kufizimet e ashpra vazhdojnë të aplikohen për ata që nuk janë të imunizuar.
Vendosja e maskës është e detyrueshme në ambientet e jashtme, shkruan REL.
“Në javët në vijim ne do të vazhdojmë këtë rrugë të rihapjes. Duke u bazuar në të dhënat shkencore, ne do të njoftojmë për afatet e heqjes së kufizimeve aktuale”, ka thënë Draghi, sipas një deklarate të publikuar nga zyra e tij.
Fushata shtetërore e vaksinimit konsiderohet e suksesshme, pasi më shumë se 80 për qind e njerëzve kanë marrë dy doza, dhe më shumë se 57 për qind kanë marrë një dozë përforcuese.
Draghi ka thënë se afati i pasaportës së vaksinës – që tregon se dikush është vaksinuar, apo është shëruar nga sëmundja – nuk do të ketë afat për ata që kanë marrë dozën e tretë.
Pasaporta e vaksinës është e domosdoshme për të marrë pjesë në shumicën e aktiviteteve në këtë shtet.
Qeveria ka marrë vendim të mërkurën që të lehtësojë masën e karantinës për nxënësit që janë të vaksinuar.