Sinoptikania Lajda Porja ka dhënë alarmin e kuq për ditën e nesërme, duke theksuar se vendi vijon të mbetet nën valët e të nxehtit afrikan.
Por sipas saj, alarmi i kuq është për ndryshimin e parametrit të erës, i cili nesër do të ketë rritje me 10 km/orë.
“Lajmet nuk do të thosha që janë të mira për momentin, duke qenë se ne mbetemi ende në valët e të nxehtit afrikan, të paktën sot edhe nesër. Sot temperaturat janë rreth vlerës 40 gradë. Ka pasur një rënie të lehtë, të papërfillshme nga vlerat 43 gradë e kësaj vale të nxehtë, vala e tretë për këtë verë dhe më e nxehtë për 4-5 vitet e fundit, të paktën në territorin shqiptar, ku termometri është ngjitur në 43 gradë.
I gjithë rajoni ka shënuar vlera të larta, Greqia, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut. Kemi nesër një rritje të lehtë të temperaturave, kur termometri do shkojë në 41 gradë, e gjithë zona ku është problematike sa i përket zjarreve, pasi ka rritje në zonat jugore dhe jugperëndimore që nga qarku i Elbasanit e poshtë, Fier, Vlora e Gjirokastra pritet të kenë vlera më të larta për ditën e nesërme.
Ajo që vlen të theksohet dhe alarmi i kuq për të gjithë ata që dëgjojnë, do të kemi problematika me parametrin e erës. Sot do jetë 40-45 km/orë, por duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, duke qenë se do kemi një tërheqje graduale të masave ajrore afrikane dhe ardhjen e një mase tjetër më të freskët do të kemi dhe menjëherë dhe ndryshimin e parametrit. Nesër do kemi një erë goxha të fortë, që mund të shkojë në 50-55 km/orë.
Sidomos dita e enjte dhe kryesisht në zonat jugore dhe juperëndimore që do të kenë dhe një erë të fortë gjë e cila sjell dhe zgjerimin e hartës së zjarreve. Era do jetë e pranishme dhe të premten dhe në fundjavë, por nesër pritet më e fuqishme. Dita e nesërme do të sjellë dhe një tjetër rritje. E gjithë Ultësira Perëndimore mbetet në vlerat 39-41 gradë”, tha Porja.
Ajo shpjegoi se jemi ende në valët e të nxehtit afrikan dhe se akoma nuk ka një tërheqje. “Tërheqje të kësaj vale presim të premten, ku do ketë ulje të temperaturave me 5-7 gradë në shumë zona dhe në normalizim të vlerave termike, duke shkuar në 34-35 gradë”, tha ajo.