Ky eshte 17-vjecari shqiptar qe humbi jeten ne Itali

Detaje të reja janë zbardhur pas vrasjes së 17-vjeçarit shqiptar Thomas Christopher Luciani, në Peskara, Itali.

Sipas mediave italiane, i mituri shqiptar që prej vitesh jetonte me gjyshen e tij në Itali, është goditur 25 herë me thikë. Dy të miturit e arrestuar, njëri djali i komandantit të një stacioni karabinierësh në provincë dhe tjetri djali i një avokati të njohur e kanë goditur pa pushim shqiptarin edhe kur ai ishte i pajetë në tokë.

Shkak për ngjarjen dyshohet se është bërë një borxh droge prej 200 apo 250 eurosh. Sipas një rikonstruksioni fillestar, vrasja ka ndodhur në kulmin e një debati në orët e vona të pasdites në parkun Baden Powell.

I braktisur në park, trupi i djalit shtatëmbëdhjetë vjeçar u gjet në orët e vona të mbrëmjes. Pas krimit, dy autorët kanë shkuar për të notuar në det dhe aty kanë hedhur edhe thikën e përdorur.

Por vrasja e shqiptarit dhe braktisja e trupit të tij në park po shoqërohet me disa pikëpyetje:

A ka vdekur viktima në atë park apo është sjellë atje më vonë?

A kanë pasur bashkëpunëtorë dy të miturit e arrestuar?

Çfarë e shkaktoi debatin që rezultoi në tragjedi?

17-vjeçari, me origjinë shqiptare, por i integruar mirë në Itali, ishte i dënuar më parë për drogë. Në nëntor të vitit të shkuar, ai u shpall i zhdukur pas festimeve për Halloween, por u gjet një ditë më pas.