Dr.Arta Skordha: Kujdes prindër, nëse kolla zgjat më shumë se 2-3 ditë mund të jetë simptomë e një sëmundje
Kolla është një refleks i organizmit për të pastruar mushkëritë, por nëse zgjat më shumë se 2-3 ditë, thekson Dr.Arta Skordha, mjeke pediatër pranë Spitalit Amerikan 2, mund të jetë simptomë e një sëmundje.
“Shkaktohet kryesisht nga virozat dhe influenzat e stinës. Nëse është me shkaqe bakteriale ose mbivendosen infeksione bakteriale, kolla persiston më gjatë dhe shoqërohet me simptoma të tjera si temperaturë e lartë dhe gjendje e përgjithshme e rënduar. Në raste të tilla është e nevojshme marrja e antibiotikëve”, sqaroi Dr.Arta duke këshilluar edhe disa masa të thjeshta që mund të merren në shtëpi.
“Nevojitet një ambient i pastër, i mirëajrosur dhe i lagështuar ku nuk pihet duhan. Fëmija të jetë i mirëhidratuar. Pirja e ςajrave, suprave bëjnë që sekrecionet të zbuten dhe të nxirren shumë më lehtë. Gjithashtu rekomandohet pirja e një luge të vogël me mjalt, por kujdes pasi jepet vetëm për bebet mbi 1 vjeς”, këshillon doktoresha.
Por nëse kolla nuk po përmirësohet, atëherë vizita me mjekun pediatër është e domosdoshme.
“Kur fëmija ka vështirësi në frymëmarrje, kur frymëmarrja është e shtuar apo e zhurmshme, gjendja e tij është e rënduar, ndihet i lodhur, nuk ka oreks, është i zbehtë, vetëm fle, të gjitha këto janë shenja që duhet të shkojmë te mjeku. Gjithashtu është e domosdoshme të vizitohen edhe bebet e vogla nën 3 muajsh, pasi kanë një imunitet të dobët dhe gjendja e tyre mund të agravojë më shpejt. Gjatë vizitës bëhet një ekzaminim i plotë i fëmijës, me ekzaminime laboratorike dhe imazherike nëse nevojitet. Më pas vendoset një diagnozë dhe mjekim si për kollën ashtu edhe për sëmundjen që ka e shkaktuar atë”, shpjegoi doktoresha.
SHIKO.NEWS