Ka probleme me zemrën, për Parodistin e Vlorës mezi mblidhen 200 euro për ta ndihmuar të operohet

Prej disa kohësh tashmë është bërë e ditur se një nga parodistët e Vlorës, Mane Lumani është në një gjendje të rëndë shëndetësore.

Edhe pse i ka dhuruar publikut shqiptar të qeshura për vite të tëra, Lumani vuan pamundësinë financiare për një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Por këtë e bën në heshtje dhe larg vëmendjes së opinionit.

Në nëntor të vitit të kaluar ai kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të dhuruar me aq mundësi sa të kishin, sepse familja vetë nuk i përballonte dot kostot. Mane Lumani nuk merr as pension special nga shteti, edhe pse i ka dhënë shumë vendit dhe popullit shqiptar.

Gazetari Ergys Alushi ka publikuar sot një foto me paradostin vlonjat dhe thotë se nga kërkesa për ndihmë, për të janë mbledhur vetëm 200 euro dhe 500 lekë. Sakaq Bashkia e Vlorës e ka injoruar rastin e tij.

“Legjenda kryen një operacion të vështirë në datën 1 shkurt dhe ndihma e njerëzve për të ka qenë vetëm 200 euro dhe 500 lekë!

Bashkia e Vlorës e ka injoruar kërkesën e “Mjeshtrit të Madh” për ndihmë financiare për të kryer operacionin. Legjenda nuk kërkon lëmoshë, por minimalisht respekt e mirënjohje në të gjallë për atë që ka dhënë me humorin e tij”, shkruan gazetari.