Tiranë- Një i ri i cili braktisi prindërit gjatë pandemisë u përjashtua prej tyre nga e drejta për të trashëguar një apartament me sipërfaqe 50 m 2 në rrugën “Ali Demi” dhe shkak ishte indiferenca e tij për t’u kujdesur për të moshuarit.
Kryefamiljari me inicialet H.K dy muaj përpara se të ndërronte jetë kërkoi një noter të dytë për t’ja lënë banesën gruas dhe një personi që gjate dy viteve të fundit u kujdes për të dy burrë e grua.
Sipas dosjes që TCH disponon, i biri i çiftit që është djali i vetëm i tyre u paraqit ne 11 tetor 2021 pra gjashtë ditë pasi i ati ndërroi jetë për të çelur dëshminë e trashëgimisë mbasi ishte i bindur se në vitin 2009 e ëma dhe i ati kishin firmosur tek noteri lënien e shtëpisë atij.
Por pavarësisht bindjes së tij kur kërkoi çeljen e trashëgimisë të firmosur në datë 21 tetor 2009 u ballafaqua me një surprizë të hidhur, i ati kishte firmosur një tjetër testament ku e përjashtonte nga e drejta e pronësisë.
Por prokuroria ka përdorur si prova bindëse ndaj djalit denoncues jo vetëm akt ekspertizat që vërtetojnë se firma e të atit nuk ishte e falsifikuar, por gjithashtu edhe dëshminë e nënës e cila ka këmbëngulur se i biri i braktisi gjatë kohës që ata ishin të sëmurë.
Prokuroja Marjola Mërtiri kreu një sërë veprimesh hetimore mbasi i riu insistoi se dokumentet ishin falsifikuar me ndihmën e noterit Redi Sina, dhe se i ati ishte në gjendje të rëndë.
Por një raport i shtatorit të vitit 2021 i firmosur nga dy mjekët, Brikena Allkoja dhe Valbona Hysenbelli tregoi për prokuroren që hetoi çështjen se babai i denoncuesit kishte qenë në gjendje të ndërgjegjshme ditën që kërkoi noterin për të firmosur testamentin përfundimtar duke anuluar të parin.
Me një shtjellim të gjatë të bazuar jo vetëm në ligj por në vullnetin e të ndjerit, prokuroria konstaton se nuk ka vepër penale dhe se automatikisht djali denoncues do të mbetet pa shtëpinë e prindërve.