Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës, mjeku Vanion Cinari, i cili u përfshi në një aksident të trefishtë në Sauk mbrëmjen e kaluar.
40-vjeçari, specializant i Sherbimit të Anestezi-Reanimacionit në QSUT nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.
Për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta ka reaguar edhe Shoqata e Anestezistëve & Reanimatoreve të Shqipërisë të cilët i shprehin ngushëllime familjarëve, miqve dhe shokëve të Vanionit. Ata thonë se sot është një ditë e trishtë për të gjithë shokët, kolegët, profesorët dhe gjithë personelin e QSUT-së.
“Dite e trishte per shoket,koleget,profesoret dhe gjithe personelin e QSUT.Me hidherim te thelle njoftojme se u nda nga ne nje model korrektese dhe miresie, Vanion Çinari, specializanti i Sherbimit te Anestezi-Reanimacionit! Ngushellime te ndjera familjareve,miqve dhe shokeve te Vanionit! U prehsh ne paqe mik dhe koleg i shtrenjte!”
Kujtojmë se në aksidentin e ditës së djeshme, një automjet që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të TEG-ut ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trafikndarësen. Si pasojë e përplasjes së fortë, makina ka kaluar në korsinë e kundërt dhe është përplasur me dy automjete të tjera që po lëviznin në kahun e kundërt. Si pasojë e këtij aksidenti mbeti e plagosur edhe 32-vjeçarja Alba Shehaj, e cila fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.