Humb jeten në Itali 18-vjecari Shqiptar

Një 18-vjeçar shqiptar dhe shoku i tij maroken kanë humbur jetën në një aksident tragjik mbrëmjen e 19 janarit në Vignola, në zonën e Modenës, Itali.

Idris Kershaj dhe Rida Sidrine, 18 dhe 24 vjeç, humbën jetën kur makina e tyre u aksidentua dhe u përplas me një gardh, ndërsa 3 shokët e tyre u plagosën dhe njëri ndodhet në terapi intensive.
Të rinjtë jetonin në një pallat dhe familjet ishin fqinje me njëra-tjetrën. Majlinda, mamaja e Idrisit nuk mban dot lotët teksa flet për djalin që i humbi jetën në lule të rinisë:
“Idrisi ishte djalë shumë i mirë, donte kompjuterët dhe futbollin”.
Edhe Aishja, nëna e Ridkut nuk mund të pushojë së qari:
“Ai më tha që t’i lija darkën, por nuk u kthye më”.

Aksidenti i të rinjve ndodhi rreth orës 21:00 në rrugën për në Sassuolo, në një rrgë të drejtë pranë kryqëzimit me via Beslan. Sipas një rikonstruksioni fillestar, makina në të cilën ndodheshin pesë djemtë, një Citroen C3, u përmbys disa herë përpara se të përplasej me gardhin e një shtëpie. Dinamika është ende duke u konstatuar, por nga gjetjet fillestare duket se nuk janë përfshirë automjete të tjera.

Djali më i plagosur rëndë, një njëzet vjeçar, aktualisht ndodhet i shtruar në terapi intensive në spitalin Maggiore në Bolonja. Të plagosur kanë mbetur edhe dy të rinjtë e tjerë (17 dhe 23 vjeç) që ndodheshin në makinë, të cilët kanë pësuar fraktura dhe të nxira.

Bashkia Marano sul Panaro shpreh ngushëllimet për tragjedinë. Në qytetin, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin, familjet kanë hapur dyert e mortit.