‘Hormonet’ tek fruta-perimet/ AKU-ja zbarkon në Fier dhe Berat: Nuk ka vend për alarm

Pas akuzave të shumta që janë drejtuar së fundmi ndaj fermerëve mbi përdorimin e pesticideve dhe kimikateve të ndryshme, ministria e Bujqësisë nisi kontrollet, të cilat kanë vijuar edhe në pikat e grumbullimit të perimeve dhe frutave në Fier dhe Berat.

AKU-ja njofton se pas lajmeve të bëra publike në lidhje me përdorimin e preparateve kimike (pesticide) mbi normën e lejuar në fermat (serat) e zonave të Beratit e Fierit, trupat inspektuese kanë kryer verifikime në magazinat që ushtrojnë aktivitet për “Ruajtjen dhe shitjen e fruta perimeve me shumicë”.

Gjatë këtyre dy ditëve janë inspektuar një sërë subjektesh me këtë natyrë aktiviteti duke u marrë mostra për analizim në laborator për mbetjet pesticide. “Për rastet kur është konstatuar mos përmbushje e kërkesave ligjore, inspektorët kanë marrë masa administrative ndaj subjekteve. Shkeljet e konstatuara kishin të bënin kryesisht me mangësi në dokumentacionin për gjurmueshmërine e produktit” thotë AKU.

AKU konkludon se perimet e prodhuara nga fermerët e Myzeqesë dhe kudo në vend janë brenda parametrave të sigurisë dhe standardeve ushqimore bashkëkohore. “Për rrjedhojë edhe të kërkuar nga vendet e BE-së dhe kjo vërehet nga rritja e eksporteve të fruta-perimeve drejt vendeve si Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane etj. Pothuajse çdo ditë nga Shqipëria dalin produkte (fruta, perime) me destinacion vendet e BE-së” mbyllet deklarata.

Por për parandalimin e kësaj problematike, një nga hapat që pritet të merret është edhe ashpërsimi i Kodit Penal dhe përdorimi i tepruar i pesticideve të cilësohet vepër penale e i dënueshëm me burg.

Leave a Reply