Maturantët sapo kanë kaluar ethet e provimit të matematikës, por nuk mund të heqin dorë nga ethet e diçkaje tjetër që shumica e tyre nisin ta mendojnë që në fillim të vitit shkollor, mbrëmja e maturës. Fustani nuk mund tëjetë një zgjedhje e minutës së fundit. Për këtë folëm pikërisht mëngjesin e sotëm në emisionin “RrezeDielli” në Report Tv. Dy maturantët Panajota Harshiu dhe Orgest Duka na treguan sa me emocion po e presin ata këtë ditë, por edhe për shpenzimet e tyre. Për Panajotën të gjitha shpenzimet shkojnë afro gjysmë milioni lekë duke përfshirë fustanin, këpucët, flokët, çantën apo dhe aksesorët. E ftuar në studion edhe stilistja Migena Merjo pohoi të njëjtën gjë mbi çmimet e larta të fustaneve që shpeshherë janë me copa të rënda, zbukuruar me temina, qëndisma apo modele të fryrë.
“Nëse është një fustan gjigand shkon deri në 500 mijë lekë. Në rast se duhet diçka më e thjeshtë fillojnë nga 100 mijë lekë e lart”,- tha stilistja në studion e “Rreze Dielli”.
Megjithëse kanë kaluar 3 vite të shkollës së mesme bashkë, Panajota ka treguar në “Rreze Dielli” se për këtë ditë, shtohet edhe konkurenca mes vajzave në përpjekjen e tyre për të dalë më e bukura e mbrëmjes.
“Është garë mes vajzave me njëra tjetrën, por edhe për tu rënë në sy mësuesve. Edhe ndihet ajo zilia e gocave, që pse ka bërë të njëjtin model si unë.”, tha nxënësja Panajota Harshiu.
Mbrëmja e maturës është festuar ndryshe ndër vite, por pavarësisht brezave që kalojnë , një gjë është e sigurt, emocionet ngelen po të njëjta, të bashkuara me ankthin se çfarë drejtimi do të marrë jeta e tyre në këtë moment kaq vendimtar siç është mbarimi i shkollës së mesme.