Fileto pule me kërpudha e djathë dhe Byreçka të vogla në tigan

Receta e parë: Fileto pule me djathë dhe kërpudha në furrë:

Përbërësit:

500 gr fileto pule
500 gr kërpudha
2-3 lgj gjizë pa kripë
1 kokërr vezë
200 ml krem kosi
200 gr mocarela1 lk rigon
3 lgj vaj ulliri
Kripë
Piper

Përgatitja:

Fillimisht lajmë dhe thajmë mirë mishin e pulës, e presim në kubikë mesatare, më pas e marinojmë atë me kripë, piper, rigon dhe vaj ulliri.
Nxehim një tigan në zjarr dhe kaurdisim copat e mishit derisa ato të zbardhen. Më pas i vendosim copat e mishit të pulës në një tavë të lyer me pak vaj ulliri.
Nëse kërpudhat janë të freskëta i presim në feta dhe i kalojmë në ujë të vluar për 3 minuta dhe më pas i shtojmë në tavën ku kemi vendosur mishin e pulës. Nëse kërpudhat janë të konservuara i vendosim direkt në tavë.
Në një tas vendosim 2-3 lugë gjizë, një vezë dhe kremin e kosit. E trazojmë derisa të na formohet një salcë e njëtrajtshme dhe e shtrojmë si një shtresë të tretë mbi kërpudhat dhe mishin e pulës. Në fund presim djathin mocarela në feta dhe mbulojmë komplet sipërfaqen e tavës të cilën e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 25-30 minuta.

Receta e dytë: Byreçka të shpejta në tigan

Përbërësit:

1 kremviçe

1 spec jeshil

1 domate

½ tufë majdanoz

80 gr djath pice

pak rigon

kripë dhe piper i zi

2-3 petë byreku

2 vezë

4-6 lgj peksimadhe

vaj për skuqje

Përgatitja:

Në një tas vendosim kremviçen e prerë në copëza të vogla, 1 spec të prerë në kubikë të vegjël, tulin e domates të pastruar nga lëkura dhe afrat, majdanozin e grirë imët, djathin e grirë në rende, pak rigon, kripë e piper.

Hapim petën e byrekut dhe e presim atë në ¼ dhe vendosim nga 2 lugë gjelle në çdo copë. Palosim petën nga të dy anët dhe më pas e mbledhim si një paketë.

Rrahim vezët në një pjatë dhe në pjatën tjetër vendosim peksimadhen. Kalojmë byreçkat së pari në vezë dhe më pas në peksimadhe. Ngrohim vajin dhe i kalojmë byreçkat në skuqje e më pas i shërbejmë me kos.

Leave a Reply