Jonuz Cani është mjeku 76-vjeçar nga Kosova, që duket si 50-vjeç. Ai ka një jetë të shëndetshme, pasi merret me sporte të ndryshme si fitness dhe hiking. Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Cani ka treguar sekretet e mbajtjes së trupit në formë, duke zbuluar se nuk e ha mishin e kuq. Ai theksoi se punon katër orë në ditë dhe pjesën tjetër ia dedikon vetes.
“Sportin e kam pasur pasion në jetë. Kryesisht merrem me hiking, fitness dhe hobin numër një kam të dashurën natyrë. Unë jam otorinolaringolog, jam specialist për vesh, fyt dhe hundë. Tani punoj në klinikën time dhe kam pacientët që më respektojnë shumë. Sigurisht që i kam pas prej kohësh. Unë punoj katër orë në ditë dhe pjesën tjetër merrem me sport dhe ia dedikoj familjes. Ndonjëherë pi edhe ndonjë gotë me ndonjë shokë.
Gjenetika mund të jetë faktor, por për të pasur një shëndet të mirë, personi duhet të punojë. Kam dy fëmijë. Nëse kohën e shfrytëzon racionalisht, ke kohë për gjithçka. Për shembull, në mëngjes unë zakonisht çohem në orën 7 dhe i bëj ushtrimet e para. Unë sallën e fitnessit e kam në banesë. Tani kam kohë edhe për tu marrë me sporte të tjera.
Ushqimi im kryesor është zakonisht i lehtë, mishin e kuq shumë pak e përdor. Më shumë përdor mish pule, sallatat e ndryshme”, u shpreh mjeku.