Epidemiologët japin lajmin e mirë: Valën e tretë të COVID-19 e kaluam ne shkurt, tashmë koha po ngrohet dhe nuk do të qëndrojmë më mbyllur…

Gjatë muajit shkurt u shënua numri më i lartë i humbjeve te jeteve dhe infektimeve që nga fillimi i pandemisë, por mund të ketë qenë edhe muaji i fundit që do të ketë shifra kaq të larta, pasi epidemiologët janë shprehur se gjatë shkurtit kaluam valën e tretë të COVID-19.

“Normalisht mund të themi se kemi kaluar valën e tretë. Ditët e fundit, fatmirësisht numri i rasteve ka filluar të ulet dhe unë do të prisja që në mars ky numër të vazhdojë të ulet. Koha po hapet, njerëzit nuk do të qëndrojnë më në ambiente të mbyllura, do fillojnë të dalin, shtëpitë ajrosen më shumë”, shprehen epidemiologët për Klan Neës.

Javët e fundit kemi parë një rritje alarmante tek grupnmoshat e reja, por edhe numri i pacientëve të shtruar ka qenë në rritje.

“Nga 25 deri në 35 vjeç është goxha në dominancë që ka filluar të rritet. Ndërkohë kemi dhe mjaft të shtruar në spital që janë në moshë të re. Të rinjtë ndërkohë janë dhe më pak të përgjegjshëm, në kuptimin që mendojnë se ne do ta kalojmë lehtë. Po ndërkohë kemi pasur edhe fatalitete dhe në moshën 18 vjeç”, shprehen mjekët.

Sipas mjekëve, jo vetëm Tirana bën pjesë në zonën e kuqe, por janë krijuar edhe vatra të tjera infeksionesh në qytetet si, Fieri, Lezha, Gjirokastra, si dhe Korça.

Me ardhjen e marsit pritet një përmirësim i situatës, ç’ka mund të sjellë uljen e numrit të rasteve të reja, po ashtu edhe uljen e numrit të pacientëve të shtruar në spital. Epidemiologët bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen më të ndërgjegjshëm, duke repsektuar rregullat dhe masat e vendosura për përhapjen dhe parandalimin e pandemisë.