Dy vëllezër gjenden të vdekur në shtëpinë e tyre në fshatin Çorrush
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot komunitetin e fshatit Çorrush në Mallakastër. Dy vëllezër, Sabri Velaj 90 vjeç, dhe Novruz Velaj, 85 vjeç, janë gjetur pa shenja jete në banesën e tyre, ku jetonin të vetëm.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, ngjarja është raportuar rreth orës 11:00 të paradites nga banorët e zonës, të cilët kishin dyshuar për mungesën e lëvizjeve të zakonshme të dy të moshuarve.
Pasi kanë njoftuar autoritetet, forcat e rendit dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të kryer hetimet e para.
Nga ekzaminimet paraprake, nuk ka shenja dhune apo elementë që të sugjerojnë një ngjarje kriminale.
Megjithatë, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së tyre, trupat janë dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore.
Dyshimet e para lidhen me shkaqe natyrore ose ndonjë problem shëndetësor që mund të ketë prekur të dy vëllezërit.