Nga data 6 shtator asnjë qytetar shqiptar apo i huaj nuk mund të futet brenda territorit pa vërtetuar që nuk është i infektuar me koronavirus. Tre janë kushtet; Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. Gjithashtu ndryshe nga sa jemi mësuar në aeroport nuk do të ketë më familjarë, por vetëm udhëtaret të cilët duhet të jenë të pajisur me maskë.