Ç’është menopauza? Nga Dr. Shefqet  Deliallisi

Ç’është menopauza ?

Fjala menopauz vjen nga greqishtja, “meno”- muaj dhe “pausis” – pushim, duke ju referuar pushimit të ciklit menstrual.

Ajo që në gjuhën e përditshme përgjithësisht konsiderohet si menopauz, realisht është një proçes me dy stade: ngjarjet dhe ndryshimet që çojnë në menopauz dhe vetë menopauza. Në këtë kuptim, menopauza përfaqëson një periudhë të rëndësishme të jetës tuaj. Ashtu  si dhe puberteti, ajo është një proçes biologjik natyral.

Nëse jetën e gruas do ta pëfytyronim si një rrugë që ajo përshkon nga lindja deri në fund të jetës, dhe vitet e jetës si kilometra, menopauza, dhe menarka (menstruacioni i parë) do të përfaqësonin gurë kilometrikë në këtë rugë. E para ndodh rreth “kilometrit” 12-13 dhe tjetra rreth “kilometrit” 45-55. Ato janë kulmime të dy periudhave, pubertetit dhe menopauzës, që shënojnë fillimin dhe mbarimin e jetës riprodhuese. Këto dy periudha kanë shumë gjëra të përbashkëta : janë periudha tranzicioni (kalimtare), lidhen me ndryshimet hormonale dhe shkaktojnë ndryshime fizike dhe emocionale. Ato mbyllin një periudhë të jetës, për të hapur një tjetër. Në pubertet, hormonet seksuale hyjnë në veprim, duke shënuar fillimin e viteve të riprodhimit, niveli i tyre rritet, deri në shfaqen e menstruacionit të parë (menarka). Kjo periudhë karakterizohet me ndryshime fizike dhe emocionale, shpesh të theksuara. Në pak vite, hormonet gjejnë një nivel të përshtatshëm dhe të qëndrueshëm, cikli menstrual gradualisht stabilizohet, vendoset ekuilibri fizik dhe emocional. E ngjashme, por në kahe të kundërt me pubertetin, është menopauza. Në fund të viteve të riprodhimit, niveli i hormoneve fillon të bjerë, drejt një ekuilibri të ri, në nivel më të ulët. Këto ndryshime  pasohen me çrregullime të ciklit menstrual, deri në ndalimin e plotë të tij dhe karakterizohen nga ndryshime fizike, emocionale, etj. Gradualisht, me kalimin e kohës, niveli i hormoneve stasbilizohet në një nivel më të ulët.

Në kuptimin strikt shkencor, thuhet se keni arritur menopauzën natyrale, kur nuk keni cikël për një vit rresht.

Ndonëse shoqërohet me ndryshime hormonale, fizike dhe psikosociale, menopauza nuk përbën fundin e “rinisë”, apo jetës tuaj seksuale. Ajo nuk ndodh si me çelës, sa hap e mbyll sytë. Ju mund të filloni të keni shenja dhe simptoma shumë kohë para ndalimit të përhershëm të ciklit menstrual, të cilat mund të zgjasin muaj dhe vite. Dr. Shefqet  Deliallisi