Juristi i njohur ka dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të mikut të shtrenjtë Llazar Londo.
Postimi i Beqirit
Sot, mes dhimbjes dhe lotëve, të përcollëm ty, miku dhe vëllai im i dashur, Llazar Londo. Të çuam të prehesh në paqe, aty ku ke pranë prindërit dhe vëllain tënd të shtrenjtë, Vangjelin, në Patosin tonë të dashur, ku jetuam dhe kaluam vite të paharruara.
Ishte viti 1969 kur të njoha, dhe megjithëse kishim një diferencë moshe, të bëra dhe më bëre vëlla, duke e zhvilluar dhe ruajtur vëllazërinë tonë si të shenjtë gjatë gjithë jetës.
Ti ishe dhe mbete gjithë jetën Llazari gjirokastrit, i qetë, i dashur, zëmërbardhë, gjithmonë i qeshur, i aftë në profesionin tënd, bashkëpunues dhe me solidaritet të lindur, njeri human dhe tradicional, me një ndërgjegje dhe ndershmëri brilante në çdo punë dhe në çdo funksion që kreve, në shoqëri, në familjen e mrekullueshme që krijove, me Kristinën, bashkëshorten tënde plotë vlera, me vajzat e tua të shkëlqyera Ketin dhe Anin.
Ndrite në Kinën e largët, kur shkove pa i mbushur 18 vjeç, ndrite si kuadër, ndrite si njeri besnik dhe me karakter, dhe vuajtëm të dy së bashku, kur “revolucioni” në vitin 1975, në Industrinë e Naftës dhe në Fier posaçërisht, hëngri bijët e vet, të rrezuan përkohësisht, por ti u ringrite, sepse ishe dhe mbete njeriu i thjesht dhe i dashur me rrënjë te vegjëlia.
Janë krenar për ty Kristina e mirë, Keti dhe Ani, vajzat si ëngjëll, Aleko Londo, vëllai juaj që ndriti në futbollin shqiptar, Kiço Londo, nipi yt i dashur, regjisori emërmadh i Shqipërisë, Mihali, mbesat e nipat e tjerë të shumtë që të donin dhe të respektonin aq shumë.
Qofsh i parajsës vëlla i dashur, të ndritët shpirti i bukur dhe qoftë i paharruar kujtimi yt mbresëlënës.