Komiteti Teknik i Vaksinimit në vendin tonë po diskuton mbi mundësinë e vaksinimit të fëmijëve mbi 12 vjeç si dhe për marrjen e dozës së tretë të vaksinës anti COVID. Kështu bëri me dije në një intervistë për Report Tv, në emisionin ‘5 Pyetje nga Babaramo’, zëvendës ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
‘Do të merret një vendim nëse do të ulet mosha e vaksinimit, si dhe do të merret një vendim edhe për dozën e tretë. Mbi 12 vjeç është provuar vaksinimi, është diçka që ekspertët tanë të Komitetit të Vaksinimit janë duke e diskutuar dhe do të ketë një vendim shumë shpejt.’- tha Rakacolli.
Vaksinimi masiv në vend, sipas Rakacollit, ka sjellë një situatë më të qetë për sa i takon pandemisë së COVID, në vend krahasuar me një vit më parë. Zëvendës ministrja, duke ju referuar të dhënave, tha se kjo tashmë është pandemia e të pa vaksinuarve dhe se në spital 95% e të shtruarve janë të pavaksinuar.
Rakacolli tha se deri tani janë vaksinuar me dy doza rreth 600 mijë qytetarë, ndërkohë që mbi 1.5 milionë kanë marrë një dozë. Zv. ministrja shtoi se në Shqipëri shumica e qytetarëve janë vaksinuar me Sinovac, kjo për faktin se sasia më e lartë e vaksinave që ka mbërritur në vend është Sinovac, me mbi 1 mln doza.
‘Situata është më e mirë sesa vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, kjo për vaksinimin masiv. Tashmë po hasemi me pandeminë e të pa vaksinuarve. Ato që janë të shtruar në spital janë 95% të pa vaksinuar. Janë edhe të fashave moshore, që duhet të kishin bërë vaksinën. Mbi 1. 5 mln njerëz janë vaksinuar me një dozë. Mbi 25 % e popullsisë e vaksinuar me dy doza dhe rreth 600 mijë të vaksinuar. Përqindja e atyre që kanë marrë Sinovac është me e lartë. Për momentin në Shqipëri kanë mbërritur 1 mln vaksina Sinovac. Ne duam të vaksinojmë popullsinë me vaksina që janë të provuara që janë të suksesshme.’- u shpreh Rakacolli.