Nga Oriona Tresa
Revista Psikologjia/ U shua në heshtje, pa shumë bujë, ndërsa la pas një emër të madh si njeri dhe profesioniste e ish-Cirkut të Tiranës. Vitore Sallaku u nda nga kjo jetë sot në moshën 80-vjeçare.
Ajo ishte pionierja e parë e Cirkut të Tiranës, sot i munguar për rrjedhën e ndryshuar të fatit si institucion artistik. Vitore Sallaku ishte “Artiste e merituar” dhe “Mjeshtre e madhe e Punës”. Ajo ishte gjithashtu bashkëshortja e humoristit tejet të dashur, mundësit, “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Një histori dashurie e ngjizur që në themelet e Cirkut të Tiranës, aty ku ata ngritën jo vetëm artin profesionist, por ndërtuan edhe familjen shumë të dashur, nga e cila sollën në jetë dy fëmijë, djalin dhe vajzën.
Në një intervistë të largët për revistën Psikologjia, ju sjellim kujtime të cilat emocionojnë për shpirtin dhe vërtetësinë e ndjenjave që na përcollën dy artistët, tashmë të dy bashkë, në qiell.
Vitore dhe Skënder Sallaku, 52 vjet bashkë
“Për mua mosha nuk ka vlerë. Vlerat qëndrojnë brenda shpirtit të njeriut. Nuk mund të mbijetosh, nëse nuk ke diçka të përbashkët që të ngjizi e të mbijetosh. Fushë me lule nuk është kurrë. I mençur është ai që di t’i zgjidhë problemet…”
Si ka ndikuar në jetën e tyre bashkëshortore diferenca prej 7 vjetësh në moshë? Thuhet se është një diference e gjetur. Në të vërtetë, Vitore dhe Skënder Sallaku nuk dinë ta thonë nëse një arsye e fortë në mbarëvajtjen e çiftit të tyre ka qenë apo jo edhe diferenca në moshë. Mendojnë se do të kish qenë njëlloj edhe po të kishin pasur një diferencë tjetër. Por asnjëherë s’i dihet, përderisa realiteti i tyre ishte ky. As që e menduan kur u lidhën se sa vite i ndanin (apo i bashkonin) nga njëri-tjetri.
Ishin shumë të rinj për të analizuar gjëra të tilla. Sot, pas një bashkëjetese 50-vjeçare, ndërsa të dy janë gjyshër të gëzuar nipash e mbesash, sërish nuk e vrasin mendjen për diferencën në moshë mes njëri-tjetrit… Tjetër gjëje ia veshin ata suksesin e marrëdhënies së tyre. “Nuk kanë rëndësi vitet diferencë, më shumë apo më pak. Ajo që i lidh dy njerëz është pikërisht zinxhiri ku ata takohen, karakteri”, thotë akrobatja e njohur dhe gruaja e humoristit po aq të njohur. Por, nuk mund të thuhet se s’kanë të drejtë. Fundja, diferenca në moshë, duke qenë një aspekt, duket e vështirë të pritet si me thikë mes aspekteve të shumta që ndikojnë për ta mbajtur gjatë në këmbë një lidhje.
Por, le të kthehemi pas në kohë, rreth 50 vjet të shkuara: ata ishin të rinj… ajo 17 vjeçe dhe ai 24. Ishin të talentuar dhe thyenin rekorde (në atë kohë me ish-vendet komuniste). “Lidhjen e bëri Kina. Shkuam atje një vit për specializim dhe ajo na bashkoi”, rrëfen Vitore Sallaku. E sakaq thotë se as që i kishte shkuar ndërmend të diskutonin diferencën në moshë mes tyre. Duheshin dhe pikë. Madje, iu desh të përballeshin me kundërshtimet e familjeve. Por as që i pyetën. “Qëllimi ishte që ne të ishim të martuar, dhe mori fund ajo gjë”.
Pavarësisht peripecive, e bënë ëndrrën realitet. Gruas iu desh të ikte nga shtëpia e prindërve në ndjekje të të dashurit të saj. “…ika nga shtëpia. Jetova në banesën e ish-sekretarit të Partisë, i cili më strehoi tre muaj. Bëmë një martesë alla partizane, pa dasmë”. Por sërish diferencës në moshë s’ia vunë veshin. Ndoshta edhe sepse nuk u shkaktoi asnjëherë probleme… Fundja, siç psikologët thonë, është një diferencë e gjetur.
E megjithatë, Vitorja këmbëngul: “…Se është më i madh partneri apo partnerja, nuk ka rëndësi. Vlerat qëndrojnë brenda shpirtit të njeriut. Si te mashkulli dhe te femra. Ai që ka zgjedhur shokun e jetës, i ka mbetur shpirti i vet brenda. Është faktor biologjik, reaksion kimik që krijon mes lidhjes së gjakut, që do apo s’do të fut në botën e brendshme të çiftit. Nuk mund të mbijetosh nëse nuk ke diçka të përbashkët që të ngjizë e të mbijetosh. Fushë me lule nuk është kurrë. I mençur është ai që di t’i zgjidhë situatat e vështira”. Dhe, sigurisht, as që mund të hidhet poshtë, është e rëndësishme sa më sipër.
I vetmi problem që kishte të bënte me vitet ishte mosha e vogël e vajzës së re që donte të martohej. Kur u martuan, një shok, në një bisedë e sipër, i pat thënë Skënderit: “Po prit, ore Skënder, se nusja qenka e vogël”… Dhe ishte me të vërtetë e vogël, vetëm 17 vjeçe… Mund të ishte problem pra. Por ja që nuk rezultoi të ishte i tillë në rastin e tyre, sepse nusja e vogël u rrit…
Por, Vitore Sallaku ka edhe një arsye që mendon se diferenca në moshë nuk ka rëndësi: Modeli i prindërve të saj. Të atin, në fakt, ia pushkatuan kur ajo ishte ende shumë e vogël dhe është rritur me mungesën e tij, po aq sa e ëma me mungesën e burrit. Ama, falë rrëfimeve të nënës për bashkëshortin që e pati pak vite në krah, Vitorja ka besuar se ishte një lidhje që funksiononte mrekullisht mirë… “Ata kishin 20 vite diferencë. Por… – thotë Vitorja, – …kanë qenë çift shumë i bukur megjithatë”. Mund të ndodhë edhe kështu, pse jo.
Megjithatë, le t’i kthehemi diferencës në moshë mes Vitore Sallakut dhe burrit të saj… Ata kanë pasur martesë të suksesshme. Ajo ka qenë një nënë dhe grua pa deficite. Kurse i shoqi… “Ai hap rrugë për çdo gjë. Është i gatshëm. Falë njohjes, për çdo të mirë apo hall është figura e tij që na jep zgjidhje. Është shumë familjar”. Shkurt, një lidhje që ka funksionuar mirë…
A të ketë pasur ndikimin e vet diferenca në moshë? E vështirë t’i ndash gjërat me thikë. E megjithatë, diferenca në moshë mes Vitore dhe Skënder Sallakut është 7 vjet./ Revista Psikologji