Drilon Çupi, specialist i mjekësisë në Gjermani u shpreh se protokollet e mjekimit anti-covid në Shqipëri duhet të ndryshohen. “Në përcaktimin e protokolleve ka pasur konfuzion. Protokolli i Shqipërisë ka nevojë urgjente për ndryshim dhe update. Protokolli duhet të hartohet nga ekspertët. Duhet një rifreskim për trajtimin ambulator dhe spitalor”,- tha ai.
Më tej, Çupi shtoi se Shqipëria nuk ka nevojë të shpikë, por vetëm të huazojë në rregull. “Shqipëria nuk pritet që të bëjë kërkime shkencore, terapitë janë gati, mjafton që ministria të marrë protokollet e vendeve më të zhvilluara t’i njësojë. Unë dhe disa mjekë kemi që gjatë gjithë vitit kontribuojmë vullnetarisht nuk kërkojmë asnjë përfitim financiar, jemi gati të bashkëpunojmë për hartimin e një protokolli ekzakt, të zbatueshëm dhe praktik për të gjithë mjekët e Shqipërisë. Urat lidhëse, unë personalisht i kam pasur, por për trajnimin online problemi ka qenë që aktualizimi dhe saktësimi i protokollit që është në Shqipëri, që nuk është pranuar dhe kjo bëhet fjalë që nga muaji nëntor dhe nuk ka pasur një urë lidhëse nga kanal zyrtar”.
Mjeku u bëri apel shqiptarëve që të mos përdorin disa ilaçe pa rekomandim. “Ka mbitrajtime, abuzime me përdorimin e antibiotikëve dhe anti-viralëve. Protokolli duhet të ketë fuqi ligjore, nëse pacienti me mjekun ka konflikt juridik, ka një referencë zyrtare kush ka të drejtë dhe kush ka gabuar. Kortizonikët jepen vetëm në trajtimin spitalor, nuk i japin mjekët e familjes. Përdorimi i tyre është shumë i rrezikshëm. Kortizonikët frenojnë sistemin imunitar dhe organizimi është më i rrezikuar nga Covid dhe viruse të tjera, prandaj duhet të përdoret vetëm kur plotësohen kriteret.”