Mjekja Albana Daka tregon kush rrezikohet më shumë nga kanceri i gjirit

0
24304

Mjekja nutricioniste Albana Daka foli këtë të hënë në rubrikën “Abc-ja e shëndetit” në emisionin e mëngjesit për regjimin ushqimor për të parandaluar dhe minimizuar efektet anësore të kancerit të gjirit. Dr. Albana shpjegoi se gratë mbipeshë janë më të rrezikuara nga kanceri i gjirit. Sipas mjekes, sa më shumë të rritet masa dhjamore në trup, aq më shumë rritet probabiliteti për të pasur kancer gjiri. Prandaj, është e nevojshme që të kryhen ekzaminime rutinë si ekoja e gjirit dhe mamografia, sidomos nëse personi ka predispozitë gjenetike për sëmundje onkologjike.

“Së pari, është mbajtja e një peshë dhe parametra normal në organizëm. Duhen bërë gjithashtu check up-e rutinë pas moshës 40 vjeçare të ekos së gjirit apo mamografisë çdo gjashtë muaj apo një vit. Nëse kemi një histori familjare me persona me masë tumorale të gjirit, sidomos të krahut të nënës.

Nëse i nënshtrohen testit gjenetik dhe testit gjenetik të mutacioneve BRCA1 dhe BRCA2, padyshim që diagnostika dhe frekuenca e ekos dhe mamografisë duhet të jenë më të shpeshta.”, tha Dr. Albana duke shtuar se regjimi i duhur ushqimor ul riskun të rikthimit të sëmundjes.

“Nuk ka asnjë lloj produkti ushqimor që zhduk kancerin. Ka një dietë mesdhetare klasike, së cilës i kemi hequr bulmetrat dhe mishin e kuq, dhe i kemi lënë gjithçka tjetër për të menaxhuar efektet anësore të terapive por dhe për të minimizuar përsëritjen apo stimulimin e masës tumorale.

Kanceri i gjirit prek kryesisht femrat në menopauzë, dhe këta për shkak të ndalimit të ciklit menstrual kanë osteoporozë, problemin me kockat. Ndaj bulmetrat janë të rëndësishëm për të menaxhuar nivelet e kalciumit. Por nga ana tjetër, bulmetrat dhe mishi i kuq kanë elemente të ngjashme me estrogjeni.

Estrogjeni është hormoni kryesor që stimulon masën tumorale. Duke qenë se kanë këto elemente të ngjashëm me estrogjenin, vazhdimi i bulmetrave në një grua që ka pasur një episod të kancerit, sipas një studimi australian, është parë që ka pasur rikthime të masës tumorale.

Pra bulmetrat, kanë elemente estrogjen pozitiv sidomos në format e kancerit që janë receptor pozitiv për estrogjenin. Stimulimi më madhor ndodh te femrat në mbipeshë dhe obezitet kur masa dhjamore është vendosur në pjesën e barkut, sepse ashtu si bulmetrat dhe masa dhjamore prodhon estrogjen. Sa më e madhe është masa dhjamore, aq më e lartë është niveli i estrogjenit në organizëm dhe aq më shumë stimulohet ripërsëritja e kancerit të gjirit.”, shtoi Dr. Albana. /abcnews.al