PYETJE PËR DIABETIN
Pyetje : Kur një person konsiderohet me diabet?
Deri pak vite më parë konsiderohej me diabet një person me glicemi(sheqeri ne gjak) esëll mbi 140mg/dl dhe 2 orë mbas ngrënies mbi 200mg/dl. Sot kjo është modifikuar.
Konsiderohet me diabet një person:
• Kur ka simtomat klasike të diabetit (etje të theksuar, urinim të shtuar, rënie në peshë) dhe glicemi mbi 200mg/dl,
• Kur glicemia esëll është mbi 126 mg/dl (esëll kuptojmë mos ushqyerje të paktën 8 orë para matjes),
• Kur niveli i gliemisë 2 orë pas ngarkesës me glukoze është 200mg/dl ose më tepër.
Pyetje : Cilat janë shenjat që zbulojnë diabetin?
Rritja e nivelit të sheqerit në gjak është shkaku kryesor i shenjave që zbulojnë diabetin. Shenjat janë etja e theksuar, urinimi i shpeshtë, uria e shtuar, renia në peshë (që zakonisht flasin per diabet Tip1, por edhe diabetin Tip 2 me hiperglicemi të theksuar). Shënja të tjera mund të jenë turbullimi i pamjes, infeksionet e ndryshme (hiperglicemia bën që sistemi imunitar të mos funksionojë mirë), shërim me vështirësi i plageve etj.
Pyetje : Kam babain me diabet Tip 2. Desha të di a trashëgohet diabeti?
Diabet Tip 2, trashëgohet si predispozicion (mundësi për t’u sëmurur) dhe jo si sëmundje. Kjo do të thotë se ka mundësi që ju të bëheni me diabet.
Pyetje : Parandalohet diabeti?
Po, diabeti Tip 2 mund të parandalohet.
Njihet mirë fakti se predispozicioni për diabet trashëgohet. Por duhet dhe ndikimi i faktorëve të tjerë, që diabeti të shfaqet tek personat e predispozuar. Faktorët më të rëndësishëm janë dhjamosja (obeziteti) dhe mungesa e lëvizjes, jeta sedentare.
Në fakt, edhe individët me predispozicion të fuqishëm genetik, nuk bëhen diabetikë nëqoftëse mbajnë peshë normale dhe janë fizikisht aktivë.
Te mbash peshë normale do të thotë të frenosh në maksimumin e mundshëm dhjamosjen (obezitetin). Kjo është e rëndësishme të bëhet që në moshën fëminore, mbasi obeziteti i shfaqur në këtë moshë është më i veshtirë për t’u korigjuar.
Të jesh fizikisht aktiv do të thotë të bësh rreth nje orë ushtrime fizike, me intesitetit të moderuar, të paktën pesë herë në javë.
Mbajtja e këtij stili jetese për disa njerëz, megjithë predispozicionin për diabet, mund të jetë shumë e veshtirë. Megjithëse parandalimi është trajtimi me i mirë, vetëm dijet shkencore nuk mjaftojnë për të motivuar një stil të shëndetshëm jetese.
Rol shumë të rëndesishëm për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të diabetit duhet të luajnë familjarët që janë vetë me diabet, sidomos prindërit duke edukuar fëmijët e tyre për të ndjekur një stil të shëndetshëm jetese .
Pyetje : A shërohet diabeti?
Deri më sot diabeti nuk shërohet, por ka shumë mënyra për ta mbajtur nën konroll. Studime të shumta kanë treguar se kontrolli i mirë i nivelit të sheqerit në gjak, është “çelësi” për një jetë normale, dhe shfaqjen sa më vonë të komplikacioneve të diabetit.
Nëqoftëse jeni me diabet Tip 1, do mjekoheni gjithmonë me insulinë. Kjo zëvëndëson insulinën që i mungon organizmit, por nuk është e njejtë me insulinën “fiziologjike” që prodhon dhe përdor kur i duhet organizimi, në varësi të ushqimit, si një “rele“ e përkryer. Për ta imituar sa më mirë këtë “rele“ duhet balancuar, sasia e insulinës së injektuar me sasinë e ushqimit .
Nëqoftëse jeni me diabet Tip 2 ju duhet të trajtoheni në perputhje me shkallën e diabetit. Trajtimi shpesh fillon vetëm me dietë. Por diabeti është një sëmundje progresive dhe mjekimi ndryshon kohë mbas kohe. Kështu mund të vazhdojë me tableta, më pas mund të lindë nevoja për të rritur dozat e tyre dhe akoma më vonë mund të lindë nevoja për perdorimin e insulinës.
Dr. Shefqet Deliallisi