I riu do te behet baba perhere te pare dhe i kerkon gjyshes ta rrisin bashke

Igli është një 24-vjeçar që vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga fshati Baban i Devollit. Që me fjalitë e para, i riu habiti publikun e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan kur tha se për dy muaj, do të bëhet babai i një vajze.

Por njeriu i zemrës nuk është arsyeja e ardhjes së Iglit në program. Në fakt ai ka ardhur për gjyshërit e tij, me të cilët jeton prej moshës 3-vjeçare.

Se është rritur nga gjyshërit nga babai prej moshës 3-vjeçare kur i ati ndërroi jetë. Ai i quan gjyshërit prindër dhe dëshiron t’i ketë gjithnjë pranë, por së fundmi është shqetësuar nga sjellja e tyre. Gjyshi, për shkak se Igli ka bashkëshorten dhe është në pritje të një vajze, ka ndërtuar një ndarje më vete nga shtëpia për të lënë çiftin në qetësi.

Ndaj, në rubrikën nga “E diela shqiptare” në Tv Klan Igli ka ftuar gjyshërit për t’iu thënë se nuk dëshiron t’i ketë larg, por të jetojnë në të njëjtën shtëpi. Ai nuk dëshiron të largohet jashtë kufijve dhe insiston që të kujdeset për ta.

Igli: Gjyshi im quhet Sheqadet Lulo, është 78 vjeç kurse gjyshja quhet Nizamie Lulo, është 69 vjeç.

Ardit Gjebrea: Pse nuk ke thirrur prindërit po ke thërritur gjyshin me gjyshen?

Igli: Sepse babi mua më ka lënë të vogël.

Ardit Gjebrea: Sa?

Igli: 2 vjeç e gjysmë.

Ardit Gjebrea: Sa keq!

Igli: Ka lënë 3 fëmijë, motra është 2 vite më e madhe kurse vëllain e ka lënë ende në bark, nuk kishte lindur. Motrën dhe vëllain e vogël i mori mamaja, ajo iku te prindërit e saj, kurse unë ndenja te gjyshi e gjyshja, më rritën ata.

Ardit Gjebrea: Ty nuk të mori mami me vete?

Igli: Më ka marrë mami, po unë jam kthyer nga gjyshi e nga gjyshja.

Në moshën 3-vjeçare, për shkak se ishte mësuar me gjyshërit, Igli u kthye sërish në shtëpinë e gjyshërve nga ana e babait.

Ardit Gjebrea: Po ti si e thërrisje gjyshin me gjyshen?

Igli: Baba dhe nëna.

Ardit Gjebrea: Ti mendoje që ata ishin babai dhe nëna?

Igli: Jo, e dija që ishin gjyshi dhe gjyshja, po andej nga anët tona kështu i thonë, babai dhe nëna. Nuk i kam thirrur asnjëherë, sot po i thërras.

Ardit Gjebrea: Për herë të parë po i thua gjyshe dhe gjysh, sot që po ta them unë. Atëherë përdorim fjalën babai meqenëse të ka munguar, por ta ka plotësuar gjyshi apo jo, nga ana e babait. Kushedi sa të lumtur gjyshi me gjyshen që jetonin me ty. Vetëm ty të kishin?

Igli: Po veç unë kam ndenjur me gjyshin e me gjyshen, vëllai i vogël ka ndenjur me gjyshin e me gjyshen nga ana e mamit, kurse motra është në Greqi.

Ardit Gjebrea: Tani ti akoma jeton me gjyshin dhe me gjyshen?

Igli: Po.

Ardit Gjebrea: Çfarë pune bënte gjyshi yt me gjyshen që të të rrisnin ty?

Igli: Gjyshi im kur ka qenë i ri ka qenë klarinetist dhe këpucar. Kur vdiq babi, i la ato zanate, shkonte në mal për dru me 3 kuaj që mbante familjen.

Ardit Gjebrea: Të paska rritur me sakrifica.

Igli: Po.

Ardit Gjebrea: Ti ke ndierë ndonjëherë momente të vështira në jetë që ke thënë pse nuk e kam dhe unë këtë si ky apo si ajo? Apo jo?

Igli: Të vështira shumë nuk i kam ndierë, veç i kam ndierë kur kam qenë në shkollën fillore, kur shihja që prindërit i vinin bashkëmoshatarëve të mi kurse mua më vinte gjyshi e gjyshja.

Ardit Gjebrea: Dhe si ndiheshe ti?

Igli: Nga një anë ndihesha krenar, nga një anë ndihesha që më mungon diçka.

Ardit Gjebrea: Të mungonin prindërit?

Igli: Po.

Igli: Nëna, baba, këtë kohën e fundit ngaherë shikoj që me miq me shokë, mundoheni shumë, i thoni miqve tanë merreni djalin në Itali, merreni djalin në Gjermani, unë ju kam thënë plan nuk kam të lëviz as jashtë shtetit, as kudo tjetër përveç shtëpisë. Edhe diçka tjetër, nuk dua që të rrini më në kuzhinë, dua të rrimë bashkë. Unë edhe poshtë ku jeni juve, ngaherë që ngrihem nga gjumi, unë poshtë rri. Nuk dua të rrini aty, dua të rrimë bashkë.

Nizamie: Shpirti i nënës ku të duash ti vemë ne.

Sheqadet: Ne mërzitemi kur na përzini, po kur thua hajde ne na bëhet qejfi.