INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Zënka me Sulo Gradecin, donte t’i firmosja faturën e një blerje që s’e kisha parë
Në këtë rrëfimit të posaçëm që ju sjell noa.al, ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, flet kryesisht mbi marrëdhëniet e tij me të besuarin e Enver Hoxhës, Sulo Gradecin. Por edhe sendet specifike që Enveri kërkonte, si edhe debatet për blerjet të cilat nuk gjendeshin.
Sipas Hasanit, grindja e parë me Sulon u bë se ai i kërkoi të firmoste një faturë për një shumë të vogël, por duke qenë se nuk kishte qenë i pranishëm kur ishte blerë malli, ai nuk e firmosi. Në fakt, diplomacia ishte mbulesë për rolin e tij si zbulues politik i atdheut…
Intervistuar nga: Albert Zholi
Stofrat e rrobave për Enver Hoxhën, ku dhe si i blije, pasi dihet që ai vishej shumë bukur?
Stofrat i blija sipas mostrës që më dërgonin apo e sillte Suloja. Kur nuk gjeja të njëjtën mostër, në Paris të jepnin copa fare të vogla stofi si të tilla, se shpesh nuk arrija të vendosja. Kulmi ishte kur shkoja ta blija, por përsëri për të marrë një copë tjetër si mostër, sipas kërkesës, që t’i mbushej mendja për ta blerë ose jo. Ç’t’i bësh detyrës kur të zë rrota bishtin?!
Për të gjitha këto blerje, a mbaje shënime, llogari, a kishe fatura, a merrje lekë me dokumente?
Unë mbaja llogari të veçantë dhe shënime, që i kam edhe sot, duke i mbajtur qëllimisht se nuk dija çfarë mund të pëlciste ndonjëherë. Dhe vërtet, kur u mor në hetuesi e doli në gjyq Sulo Gradeci, mua më shkoi mendja se do të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo nuk ndodhi. Isha kurioz të dija pse-në?! Këtë e mësova në tetor 1999 në Tiranë, kur isha me mikun tim Pëllumb Tare, kryeredaktor i gazetës “Labëria”, ku unë shkruaja artikuj dhe ky më njohu me vëllain e vet Rustemin, të cilin e njihja si fytyrë, por nuk e dija se qenkëshin vëllezër, paçka se ngjanin në tërësi. Kur Pëllumbi i tha se kush isha, Rustemi tha se më njihte shumë mirë, por sidomos kur bëri revizionimin, si kontrollor i shtetit të llogarisë së Sulo Gradecit. Pa e lënë të më shpjegonte, nxitova dhe i thashë se prisja të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo s’ndodhi. “Këtë të mirë e ke nga unë, -vijoi ai, -se ti ishe në rregull me llogaritë. Ato i gjetëm edhe në Paris në ambasadë të hedhura në një papafingo, ku kishin shpëtuar nga dëmtimi edhe i minjve, për çudi. Të lumtë”, shtoi ai më në fund. Unë u mburra me fjalët: “unë zbatoj parullën e vjetër labe: po s’je i zoti të fshehësh, mos vidh, apo harami harrëm bëhet!”. Qeshëm se paskëshim qenë të tre të prerë me këtë kut: ndershmërinë!
A je grindur ndonjëherë me Sulo Gradecin?
Në fillim, Sulo Gradeci kujtoi se unë do t’i shkoja sipas mënyrës së tyre (shoqëruesve të Bllokut, një pjesë e të cilëve bënin ngrënie si ariu e jo si miu). Grindja e parë me Sulon u bë se ai më kërkoi të firmosja një faturë për një shumë të vogël, por unë s’kisha qenë i pranishëm kur ishte blerë malli dhe nuk e firmosa. “S’ka gajle, – tha Sulua, – se ishim ne të dy (ata kishin firmosur), por tani kërkohet edhe firma e tretë, sipas rregullores financiare”. Unë ngula këmbë përsëri i prerë dhe u thashë: “Më falni, por unë e kam parim të vjetër apo huq timin dhe të zanateve të mia: pa parë me sy nuk firmos asgjë, le të jetë kush të dojë”. “Pse trembesh?!, – theksoi Suloja i nervozuar, – hënë, – duke përpëlitur sytë dhe fërkuar hundën mashalla, – këto janë blerë për ata, – shtoi ai. “E kotë, Sulo, – i thashë, – nuk firmos, gjej ndonjë tjetër”. Kjo na hidhëroi të dyve, por për motive të ndryshme. Megjithëkëtë, vajtëm në kafe dhe e qerasa, ndërsa ai turfullonte në hundë, sikur ishte në ndonjë lëmë shirje dhe e bezdisnin pluhurat e purtekave, që shinin grurin. Ai e gjeti kollaj firmën e tretë, Haxhi Taga e ndonjë tjetër. Kjo gjë më ndodhi edhe me mjekët kur blinin ilaçe, por edhe atyre ua firmosa faturat vetëm kur isha i pranishëm në blerje në farmaci, paçka se nuk i dija porositë e sakta, por të paktën i shikoja me sy.
Kishte kërkesa që nuk plotësoheshin dhe për çfarë arsyesh?
Enver Hoxhës i blija edhe fletore shkrimi me ngjyra të ndryshme, me vija të gjera, me kuadrate ose jo, në të cilat, ai shkroi ditarët e tij dhe veprat. Po kështu, bleva edhe diktofonë. Hysni Kapoja hodhi idenë t’i blinim këto edhe për shokë të tjerë të Byrosë Politike, por siç duket, për arsye shpenzimesh, nuk e vuri në jetë. Veç tre të udhëheqësve të parë, të tjerët nuk i bënin vetë veprat dhe fjalimet e tyre. Në fakt, kam dëgjuar me veshët e mi, kur më kanë treguar si shkruanin të tjerët për ta dhe vetëm sa vinin firmën. Kështu më ndodhi edhe mua. Në veprën “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, unë kam shkruar pjesën për veprimtarinë e reaksionit shqiptar të jashtëm. Materialin ma kërkoi Selim Beqiri, të cilit pasi e përgatita, ia dorëzova dhe u habita kur e lexova të plotë, pa hequr as një presje në këtë vepër të Enver Hoxhës. Kopjen e materialit e ruaj ende sot, së bashku me atë kopje të njëjtë që ma ktheu edhe Selimi, pasi kishte mbaruar punë, pasi nuk jepja asgjë pa mbajtur kopje. Dhe meqë jemi te Enveri edhe te Suloja, me këtë të fundit më ndodhi edhe kjo gjë: gabimisht në llogarinë e tij, kisha futur një faturë prej 60 frangash të një të malli tjetër. Suloja ma ktheu me shënimin se nuk i takonte atij. Iu përgjigja duke i kërkuar të falur dhe e falënderova se edhe unë e kërkoja për t’i çuar llogarinë tjetrit, por s’gjeja faturën. Kështu shpëtova edhe nga pagesa nga xhepi. Çudi si s’bënte gabim të tillë ai, kur kishte fatura më shumë se unë?!
Në një bisedë më keni thënë që u vutë në kërkim të zërit të Enver Hoxhës, të inçizuar në Francë nga gazeta e PKF-së “Hymanite”. E gjetët?
Në fakt, Remzi Përnaska gjeti diçka mbi një minutë, por kur kjo punë bëhej më mirë në rrugë private. Dh. Lamani bëri një ndërhyrje zyrtare që të merrte lavdërimet dhe e prishi punën. Jo vetëm kaq, por neve na akuzoi si fajtorë. Ndërhyrja e Sulo Gradecit me grupin e vet që shkuan edhe në universitetin e Monpelies (Monpelier), ku pati studiuar Enver Hoxha nuk u dha rezultate. Sidoqoftë, ne nuk patëm pasoja direkte, pasi e shpjeguam çështjen me argumente bindëse, por Dh. Lamani nuk e mori dot lavdinë që shpresoi. Nuk mund të them me saktësi nëse qe ose jo ai zëri i Enver Hoxhës që u paraqit në Tiranë.
Keni trajtuar edhe disa herë blerjen e çakmakëve për Enver Hoxhën. Ku ishte e veçanta e tyre?
Vërtet, njëherë bleva dy copë të shtrenjtë, floriri dhe që peshonin rëndë, se ashtu i pëlqente ai. Njëherë, njëri prej tyre m’u kthye dhe e ndërrova me një model tjetër. Pas disa kohe, m’u kthyen njëri pas tjetrit për t’i riparuar. Megjithëse qe jo e lehtë kjo punë, dyqani ku i kisha blerë i mbajti disa ditë dhe m’i ktheu të riparuar. Por nuk shkoi gjatë dhe erdhi Suloja e kërkuan çakmakë të rinj dhe i bleu, por unë nuk i pashë. Më vonë shikoja se ata çakmakë të hequr nga përdorimi i Enverit, i përdorte Suloja. Vlen të shënoj se në një rast, shoferi ynë Stavri Zoraqi që kishte guxim të zinte me dorë çdo gjë dhe ta hapte, riparoi njërin çakmak, por nuk vazhdoi gjatë. Ai hapte edhe radio, televizor, magnetofon etj., e kishte borxh të nxirrte të tepërt ndonjë vegël dhe prapë aparati të punonte. Ai u bë legjendar për këtë cilësi. E kundërta e tij ishte shoferi Shyqyri Uba, të cilin Stavri s’e përfillte fare, se njëherë Shyqyriu i dha edhe rastin ta tallte. Sa e kishim blerë veturën “Citroen”, breshkë e modës, siç i thoshim, se ngrihej lart kur ecte. Në kohën që ai shëtiste në rrethinat e Parisit me H.Kapon e J.Malon, vetura iu prish dhe ata nuk u kthyen me një mjet tjetër, por pritën sa vajtëm dhe i morëm. Në fakt, Shyqyriu kishte gabuar se ai nuk dinte se “Citroeni” kishte një marsh më tepër dhe kështu bëri manovrim të gabuar. Nganjëherë, Shyqyriu kalonte edhe në dritë të kuqe, se nga lodhja e zinte gjumi. Kur ne i bëmë vërejtje, ai thoshte: shyqyr që shpëtoj! Këtë fjalë ia mori avaz edhe Beqir Balluku se Shyqyriu e përdori 2-3 herë kur bënte muhabet me të. “Dëgjoni Shyqyriun, – qesëndiste Beqiri, – kur bën shyqyr, se…”.
Shpesh në tranzicionin demokrat është shkruar se Enver Hoxha paska patur marrëveshje sekrete me Francën, për të mbajtur të hapur dritaren franceze për veprime të veçanta, si vendosje të banesave atje, takimeve sekrete etj., si dhe ambasadat e të dy vendeve, në Tiranë e Paris, paskan pasur status të veçantë! Është e vërtetë?
E vërteta është se unë nuk kam nuhatur që të ketë pasur ndonjë marrëveshje sekrete, por një qëndrim që u bë traditë në kushtet e luftës së ftohtë. Perëndimi la në Tiranë në vitet 1946-1947 si antena vëzhguese zbuluese, ambasadën franceze dhe italiane, ndërsa Shqipëria e re hapi e mbajti legatat e veta në Paris e Romë që në vitin 1946. Dhe kjo ishte një lojë e dyanshme mes dy kampeve në atë kohë. Adriatiku qe dritarja shqiptare për të dalë në botë, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë titiste. Ishte mëse normale në diplomaci, që shteti shqiptar të bënte kujdes të veçantë që marrëdhëniet me Francën e Italinë t’i mbante në një kurs të veçantë pavarësisht se edhe këto dy shtete vepronin kundër Shqipërisë në kuadrin e NATO-s, të bashkimit evropian të Këshillit të Evropës, por edhe për llogari të interesave të tyre më të ngushta. Franca qe një vend i domosdoshëm për propagandën shqiptare se nëpërmjet saj ajo rrezatonte në botë (shtypi, revistat, librat, lidhjet me diasporën ekonomike shqiptare e kosovare, çame, arvanitase e arbëreshe), filmi, grupet sportive, kalimi i delegacioneve në SHBA, Evropë etj., grupe turistike, vizita miqsh etj. Lidhjet kryesore me diasporën ekonomike, Shqipëria i bënte përmes ambasadës së Parisit me atë në Amerikën Veriore e të Jugut, Kanada, Australi, Zelandë e Re, Afrikë e deri në Lindjen e Mesme derisa u hapën ambasadat, misioni në OKB e konsullatat në vende të tjera më vonë. Po kështu, prej andej kontrollohej edhe mërgata politike dhe bëheshin përpjekje për zgjerimin e lidhjeve tregtare. Një veçanti qenë edhe marrëdhëniet me partitë e organizatat m-l dhe shoqatat e miqësisë që mbështesnin Shqipërinë e re në Perëndim.