Abortoj 17 here nena lindi fëmijën e parë. Rrëfimi i mjekes për nënën nga Tirana

Një histori suksesi por edhe një mesazh sa njerëzor po aq edhe i ndjerë vjen nga mjekja obstetër gjinekologe, Dr.Donika Shanaj, e cila ndoqi me përkushtim rrugëtimin e Dafinës. Pas 17 aborteve, dhe qindra sfidave, çifti u bekua dje me ardhjen në jetë të vajzës.

Postimi i plotë

…U bë nënë ….

Dafina është një prej mikeshave të mia prej 15 vitesh. E kam njohur si paciente kur erdhi një dite në spital dhe kërkonte ta ndihmoja për t’u bërë nënë. Pas shumë kontrolle, vizitash, ndërhyrjesh pasi kishte një anomali të mitrës, ajo ngelej shtatzanë, por nuk arrinte t’i çonte shtatzanitë në fund megjithë ndihmën që merrte nga specialistët

Dafina fatkeqësisht pësoi 17 herë aborte , nuk e di a mundet të imagjinohet se çfarë sakrifice dhe zhgënjimesh të herë pas hershme pësoi kjo grua. Këto vuajtje do t’i suportonte vetëm një femër si Dafina dhe i shoqi i saj. Ata të dy janë një çift i qetë , që me sytë e tyre kërkojnë vetëm shpresë, kapen pas çdo grimce shpresë që mund t’u japësh, përtej edhe të pamundurës. Sa herë më shkruante se do vinte për vizitë më jepte kënaqësi sepse vetëm më dëgjonte, më besonte shumë, por nga ana tjetër më krijonte ankth sepse nuk dija çfarë të bëja më me të, pasi nuk kishim lënë gjë pa provuar që ajo të bëhej nënë, por ishte e pamundur.

Dafina kishte bërë të gjitha terapitë bashkëkohore, 4 herë IVF me të gjitha teknikat dhe pa rezultat. Por ata ishin një çift që nuk dorëzoheshin. Ishin një çift që në sytë e tyre të bukur kishin vetëm shpresë. Sa herë që vinin për vizitë unë ndjeja shumë keqardhje , saqë fillova të mendoja, pse vinë përsëri? Çfarë t’u bëj, ku t’i dërgoj, pasi kishin bërë pafundësisht konsulta ekzaminime, kishin përdorur teknikat më bashkëkohore të infertilitetit. por pa rezultat.

Dhe përsëri sa herë vinin te unë buzëqeshnin, që i falenderoj shumë se pak nga buzëqeshja e tyre mora edhe unë në jetën time. Pacientët nuk e dinë, por edhe ne mësojmë shpesh herë nga forca e tyre. Dafina kishte 4 vite që ishte në menopauzë, dhe vinte për kontrolle rutinë të moshës, pasi lëshonte një ofshamë të lehtë bënte ekzaminimet dhe ikte. Sa herë që vinte dhe ikte më mbante të mbërthyer për disa çaste menendja tek ajo.

Një ditë më shkruan se kishte dhimbje barku, hajde i thashë të bësh një echografi. Erdhi të nesërmen dhe kur e pashë në echo nuk po ju besoja syve, një bebe 3 muajsh që lëvizte mrekullisht në barkun e saj , nuk guxoja t’ua thosha, por ajo e pa vetë dhe më tha: Bebe është ajo që shoh? Unë u gëzova që shihnim të dyja të njëjtin imazh, pra ishte e vërtetë që ajo ishte shtatzanë dhe bebi ishte zhvilluar normalisht.

Nuk dua të zgjatem për kujdesin e gjatë gjatë shtatzanisë se janë detyrat tona, por dua të theksoj për qetësinë dhe besimin e madh të jashtëzakonshëm që ai çift pati tek mjekësia me gjithë dështimet e pësuara 17 herë. E shkruajta sot këtë shkrim pasi mbrëmë natën erdhi në jetë fëmija i Dafinës në mënyrë urgjente 37 javësh, e shëndetshme, na gezoi pa masë të gjithëve 2650 gr.

Me këto rrjeshta desha të them se ndoshta ndonjëherë atë që nuk e bën mjekësia, e bën “perëndia”. I uroj bebit jetë të gjatë dhe të rritet me prindërit që sakrifikuan aq shumë për t’u bërë prindër. Gjithashtu Dafina jep një mesazh njerëzor për gratë kudo që ndodhen, TË BËHESH NËNË ndonjëherë është ekstremisht e vështirë, por gjithmonë ia vlen, pavarësisht çfarë sakrifice dhe çfarë kosto ka.

Burimi